Tmerri i një braziliani në Shqipëri, historia e çmendur nga Berati

Tomori këtë verë afroi një futbollist brazilian, Jean Lacerda, një 25-vjeçar nga Alagoas, shtet i vogël në verilindje të Brazilit.  Mbrojtësi luan futboll profesionist prej 4-5 vitesh, ka luajtur në 3 klube braziliane prej vitit 2014, nga Seria D braziliane deri tek kampionati shtetëror Alagoano. Klubi i fundit ishte Santa Rita, ku luajti 7 ndeshje si titullar në pjesën e parë të këtij viti. Më pas erdhi oferta befasuese: e donte Tomori i Beratit! Nuk është Barcelona, por është pak kilometra larg Italisë dhe premtimi për Jean ishte joshës: një sezon i mirë në Kategorinë e Parë shqiptare do t’i hapte rrugën drejt Superiores, aty ku mund të fitonte disa mijëra euro në muaj, që janë një pasuri e madhe për një futbollist të nivelit të tij.

Dikush mund të bëjë ironi: ç’do një futbollist i tillë në Shqipëri dhe sidomos në Kategorinë e Parë? Në fakt, pyetja i duhet bërë Tomorit, që si disa klube të tjerë në Kategorinë e Parë menaxhohet në mënyrë injorante, duke ndryshuar lojtarët çdo 6 muaj e duke afruar lojtarë të huaj, veprim pa asnjë logjikë e kriter. Imagjinoni pak, në Berat ndërruan trajner që në fillim të sezonit dhe nuk kanë as staf, as zbulues talentesh, as vëzhgues, as drejtor sportiv e as drejtor teknik. Çfarë dreqin i duhet një klubi të menaxhuar shumë keq nga Bashkia që të afrojë lojtarë nga Brazili? Mos ndoshta janë dallavere nën rrogoz me fondet e bashkisë? Histori tjetër kjo, nuk e zgjidhim dot ne, por le të tregojmë historinë e Jean, i cili erdhi me shpresa të mëdha në Berat, por aty ka parë tmerr me sy. Dy muajt e parë jetoi fillimisht me 7 ditë rrogë dhe më pas me rrogë gjysmake për shkak të një gjobe vendosur nga klubi, koncept tipik shqiptar ky i fundit. Imagjinoni dot që te Reali t’u vendosin gjoba lojtarëve se po paraqiten dobët në kampionat?

Nuk mbaron te paga, sepse Jean, së bashku me jabanxhinjtë e tjerë, jetonte në kushte të tmerrshme dhe mjaftojnë fotot që ka nisur futbollisti nga Brazili për t’u ndjerë keq, ose për t’u ndjerë mirë që nuk jemi në vendin e tij dhe të kolegëve të tij, që u duhet të durojnë një poshtërim të tillë. Kushte skandaloze, aq sa ta quash burg është pak, sepse edhe në burgje ndoshta jetojnë më mirë. Një haur bagëtish, një konvikt nga ata të ndërtuar dekada më parë dhe të rrënuar deri në atë pikë sa mund të xhirohen filma horror, si Hostel i të madhit Quentin Tarantino.

Në këtë intervistë për Telesport.al Jean Lacerda na tregon historinë e tij dhe ka vetëm një lutje: dëshiron të marrë dokumentacionin që të luajë futboll në Brazil, për të ardhura të mjaftueshme sa të mbajë gruan dhe fëmijën e vet. Më mirë i varfër e në shtëpi, sesa premtimet milionere nga Shqipëria e largët, ku shpesh asgjë nuk është ashtu si duket e si premtohet…

Jean, si erdhët në Shqipëri?

Një person në Brazil kishte biseduar me dy shqiptarë, që kërkonin lojtarë në Brazil. Më bëri ofertën dhe pranova, ishte një aventurë e re, kisha shpresa të mëdha, edhe pse bëhej fjalë për kategorinë e dytë dhe e prisja që të mos gjeja ndonjë luks. Mbërrita në Berat më 6 gusht. Ishte vonë, rreth 5-6 e pasdites dhe pavarësisht lodhjes, dola në stërvitje. Nuk u stërvita gjatë, sepse trajneri e dinte që kisha bërë një udhëtim të gjatë e të lodhshëm dhe që unë kisha pranuar të dilja në stërvitje. Në 8 apo 9 gusht firmosa një kontratë për 1 vit.

A e keni kontratën?

Kërkova një kopje të kontratës, por drejtuesit më thanë që kopja do të më jepej vetëm pasi dokumentet e federimit të vinin nga Federata Shqiptare e Futbollit. Megjithatë, nuk ma dhanë kurrë një kopje të kontratës. Me premtuan 750 dollarë mujorë, që nuk i mora kurrë, pa ditur as hallet e tjera dhe shpenzimet në ngarkimin tim.

Si ishte situata me pagat?

Në 10-11 shtator u shpërndanë pagat e para dhe më paguan vetëm 7 ditë pune. U justifikuan duke thënë se dokumentacioni im kishte qenë me probleme dhe se kontrata hyri në fuqi vetëm në datën 23 gusht, ndaj më takonin vetëm 7 ditë pagë.

Po më pas, gjithçka në rregull?

Muajin pasardhës ndodhi diçka tjetër: unë dhe disa lojtarë u njoftuam se do të na mbahej 30% e pagës, ndërsa disa lojtarëve u mbajtën 50% të pagës mujore. Kjo sepse pretendonin se rendimenti i skuadrës nuk ishte i mirë dhe për këtë gjë na gjobitën. E gjitha kjo sepse nëse nuk gabohem ishim në vendin e pestë në renditje dhe klubi pretendonte të ishim në krye.

Fotot që na keni nisur janë skandaloze, na flisni pak për to.

Kishim probleme me akomodimin, vendi ku jetonim ishte totalisht i rrënuar, në kushte skandaloze. Shumë pis, askush nuk merrej me pastrimin dhe nuk dërgonin as ndonjë pastruese të paktën një herë në javë. Nëse nuk pastronim vetë, bëhej mal me plehra. Nuk është çështje higjiene, shihni fotot për të kuptuar çfarë situate ishte! Mund të na kapte ndonjë sëmundje e rëndë. Pësova edhe një dëmtim në gju, jo ndonjë dëmtim serioz, por m’u desh të mungoja në disa seanca stërvitore.

Si e përballuat këtë situatë?

Po më kapte depresioni, ishte një situatë që nuk e kisha menduar kurrë. Nuk ishte problemi vetëm tek unë, por edhe te familja ime. Jam i martuar dhe kam një djalë 1 vjeç e 4 muaj. Ata varen nga paratë që nxjerr nga puna ime, por si mund t’i mbaja me paratë që merrja në Shqipëri, kur nuk më dilnin as mua? Si mund të luaj futboll në një vend ku nuk ekzistojnë kushtet më bazike të punës, ku jetohet në atë fëlliqësirë dhe nuk më jepnin as pagën?

Çfarë bëtë, si erdhi largimi nga Berati?

Me paratë që më kishin mbetur, bleva biletën dhe u nisa për në Brazil. Gabova që nuk njoftova drejtuesit, por vetëm trajnerin Devolli, të cilin e njoftova kur isha në aeroport në Tiranë. Nuk kisha më forcë mendore për të vazhduar. Veprova në emocion e sipër, por nuk pendohem për ato kushte ku jetoja e punoja. Nuk dua ç’të bëja tjetër, nuk kisha asnjeri në Berat, as përkthyes e as menaxher, nuk dija as si të shkoja në FSHF për t’u ankuar, pa llogaritur shpenzimet shtesë.

Po me drejtuesit e Tomorit, keni folur?

Kontaktova shefin e Tomorit, Albanin, si dhe drejtorin e klubit, Gëzimin, por dy herë më bllokuan dhe nuk pranonin të më jepnin lejekalimin. Dua vetëm të jem i lirë, të mos kem më lidhje me Tomorin, por ata nuk pranojnë.

Pse nuk pranojnë?

Më thonë që u arratisa dhe që duhet të paguaj gjobë. Duhet të paguaj për të marrë dokumentacionin, në një kohë që për sa kohë që qëndrova në Berat kisha probleme me pagesat, me jetesën, me gjithçka. Dhe klubi kërkonte shumë nga ne, pa krijuar kushtet për një skuadër të aftë të luftojë për kreun.

Na treguat kushtet e jetesës në Berat, po lojtarët e tjerë si ia bënin?

Askush nuk mund të jetojë në kushte të tilla. Lojtarët që janë në Berat janë heronj dhe fitimtarë, që durojnë gjithë këtë makth, sepse kanë dy muaj pa marrë paga dhe jetojnë në ato kushte. Është çnjerëzore.

Po për t’u ushqyer, a ju ndihmonte klubi?

Asgjë, absolutisht. Gjithçka e paguanim vetë, ushqimin në restorant e paguanim nga xhepi, klubi nuk merrte asgjë përsipër. Si unë, ashtu edhe lojtarët e tjerë, paguanin gjithçka nga xhepi.

Po personat që të sollën në Berat, si vepruan kur u largova?

Ata nuk bënë asgjë për ta zgjidhur këtë situatë, ndoshta kanë frikë. Kanë pranuar gjithçka thanë drejtuesit e Tomorit, janë thjesht amatorë, nuk janë menaxherë.

Si ia bën për të jetuar tani që je në Brazil?

Jam pa punë dhe familja ime po vuan bashkë me mua, sepse jam futbollist dhe kjo është puna e vetme që di të bëj. Jam 25 vjeç, nëse Tomori nuk më lë të lirë nuk di rrugë tjetër si të siguroj ushqimin për familjen time. Jam i dëshpëruar, ashtu si jam i hidhëruar edhe për kolegët e mi në Berat, që po vuajnë dhe nuk ndihen. Është e turpshme, drejtuesit e Tomorit nuk janë njerëz të mirë.

Me pak fjalë, Shqipëria është një kujtim shumë i hidhur për ju.

Jo, nuk mund ta përkufizoj kështu. Pavarësisht nga gjithë vështirësitë, kam njohur njerëz të mirë në Berat dhe futbollistë shqiptarë që janë persona shumë të mirë, më kanë ndihmuar shumë.

A ke një mesazh për ndokënd, drejtuesit e Tomorit së pari?

Dua vetëm të jem i lirë, të luaj futboll në shtëpinë time. Nëse unë jam larguar pa leje, ndodhi sepse marrëveshja mes nesh u shkel katërcipërisht nga klubi para se unë të largohesha. Tomori nuk përfiton asgjë nëse më bllokon deri në fund të sezonit të ardhshëm dhe unë nuk kam para që ta çoj nëpër gjyqe këtë çështje. Uroj që Federata Shqiptare të më japë një zgjidhje, sepse nuk është normale që klubet shqiptare t’i trajtojnë kështu futbollistët, duke i gjobitur e duke i mashtruar për gjithçka. Në Brazil, që nuk është vend i pasur, as në nivele shumë të ulëta nuk i sheh këto gjëra. Unë dua vetëm të siguroj jetesën e familjes sime, ndaj erdha në Shqipëri dhe do të kisha qëndruar me gjithë qejf nëse gjithçka ishte normale.

MARRË NGA WWW.TELESPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *