TKZ takon policinë dhe Federatën, kthimi në stadiume është pranë

0

Sot në zyrat e Federatës së Futbollit është realizuar një takim me përfaqësues të grupimit Tifozët Kuqezinj, me prezencën e Presidentit të FSHF-së, z.Armand Duka dhe zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Gjovalin Loka. Takimi ka pasur qëllim afrimin e palëve dhe gjetjen e konsensusit që TKZ të ndalë bojkotin në ndeshjet e Kombëtares shqiptare, ku mungon prej kohësh për shkak të sjelljes brutale të policisë.

Presidenti i FSHF-së z.Duka, së bashku me zyrtarët e Policisë së Shtetit, dhe përfaqësuesve të grupimit “Tifozat Kuqezi” gjetën dakordësinë e tyre të plotë për shumë pika diskutimi të cilat lidhen direkt me raportin federatë-polici-tifozeri, për të qenë gjithmonë në një atmosferë ku manifestimet në stadium të jenë korrekte.

Presidenti Duka theksoi: “Besoj se ishte një takim i domosdoshëm me grupimin e tifozëve dhe përfaqësuesit e policisë për ato kërkesa që kanë tifozët, si për ndeshjet e kaluara, ashtu edhe për vijimësinë, për sjelljen e policisë dhe organizimin e ndeshjeve. Ishim në unison, me një qëllim të përbashkët për të ndihmuar kombëtaren. Besoj se tashmë jemi në një klimë të re për t’i bërë gjërat sa më mirë. Ndoshta nuk mund ti arrijmë në 100%-shin ideal, por do t’i bëjmë shumë më mirë dhe besoj se tifozët do të jenë në stadium në të ardhmen. Ata kanë kërkesat e tyre, apo pengesat, por ata duan të jenë në stadium dhe besoj se do jenë rregullisht. Policia nga ana e saj garantoi sjellje korrekte, më pak prezencë, ose dhe fare prezencë në tribuna, por nuk mund të premtonte më shumë se sa zbatimi i ligjit në mënyrë korrekte. Dhe për këtë, mirëkuptimi do të jetë i gjithanshëm. Tifozët kërkojnë të mos ketë dënime kolektive, por dënime për individët e caktuar, në një kohë që paraqitën edhe kërkesat e tyre karshi FSHF dhe Policisë së Shtetit”.

Ndërkaq, zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, z.Gjovalin Loka garantoi përfaqësuesit e TKZ-së për korrektësinë e uniformave blu: “Ne si polici jemi të interesuar për të bashkëpunuar me çdo lloj grupimi. Unë ju garantoj që sa më bashkëpunues të jenë tifozët me ne, aq më mirë do të jetë klima, për një ecuri sa më pozitive, në mënyrë që të shmangim çdo lloj keqkuptimi, apo incidenti të mundshëm. Vlerësoj një diskutim të tillë, dhe ne jemi gati për çdo nismë tjetër në funksion të mbarëvajtjes së ballafaqimeve të tilla ndërkombëtare për sigurinë në stadium, dhe sigurinë publike”.

Në vijimësi do të ketë sërish takime të tjera mes palëve për të specifikuar çdo gjë, në mënyrë që klima e bashkëpunimit të mos cënohet nga asnjë faktor.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.