Tjetër rast “Januzaj”, por ylli i Leverkuzen zgjedh vendlindjen

Në vitin 2014, një lojtar me origjinë shqiptare tronditi botën. Adnan Januzaj sapo kishte shpërthyer te Mançester Junajtid dhe për lojtarin interesohej Shqipëria, përfaqësuesja e Kosovës e dëshironte, por në garë ishin edhe Belgjika, vendi ku është rritur, Anglia aty ku luante dhe Turqia, që pretendonte se ishte vendi i origjinës së një prej gjyshërve të lojtarit.

Januzaj zgjodhi Belgjikën, i joshur nga ideja për të luajtur në Botërorin “Brazil 2014”, duke injoruar origjinën. Tashmë, në distancën e katër vjetëve, përsëritet një rast i ngjashëm. Protagonist është një tjetër talent, Leon Beili i Bajer Leverkuzen, por që zgjodhi Xhamajkën, përfaqësuesen e vendlindjes, përpara emrit të përfaqësueseve të mëdha.

Një intrigë ndërkombëtare, ajo e krijuar rreth sulmuesit të ri, i cili mund të zgjidhte mes Belgjikës, Maltës, Anglisë, e së fundmi edhe Gjermanisë, me “panzerat” që ishin kthyer në një mundësi reale në arenën ndërkombëtare. Leon ka lindur në Xhamajkë, vend me të cilin kishte luajtur vetëm një miqësore me ekipin U-23.

Por, më pas, interesimi i Anglisë e lëkundi. Sauthgejt mendoi ta afronte në skuadër, për shkak të origjinës së babait që e kishte adoptuar, Kreig Batler, i cili tashmë është edhe në rolin e menaxherit të lojtarit. Por, prej faktit që nuk kishte lindur në Angli, aktivizimi me të “Tre Luanët” nuk mund të realizohej, sepse nuk plotësonte kriteret e rezidentit.

Nga ai moment, Beili nisi të studionte alternativat. Nga Malta e Belgjika (vend në të cilin kishte luajtur), te hipoteza për të përfaqësuar Gjermaninë, skuadër e cila nëse do të kishte vendosur ti besonte një fanellë, do ta kishte natyralizuar, ashtu si ka bërë edhe me shumë lojtarë të tjerë në të kaluarën. Por, në fund zgjedhja e lojtarit të Leverkuzen erdhi.

“Ndihem 100 për qind xhamajkan, sepse aty kam lindur. Më duhej të merrja një vendim, sepse karriera në futboll është e kufizuar dhe nuk mund të pres gjithë jetën për të luajtur me një përfaqësuese”, ishin fjalët e lojtarit. Intriga ndërkombëtare e radhës u zgjidh. Por, nëse Adnan Januzaj mohoi kombësinë (Shqipërinë) dhe vendlindjen e prindërve (Kosovën), Leon Beili veproi krejt ndryshe, për t’u shndërruar në krenarinë e popullit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *