Tjetër lojtar i Kombëtares pas Lenjanit shkarkohet për COVID-19: Na thanë merrni pagat dhe ikni në 1 maj

Një tjetër lojtar i Kombëtares është shkarkuar nga detyra e tij e futbollist, këtë herë te sllovakët e Zhilinës. Ashtu si edhe në rastin e Ermir Lenjanit, që do të largohej nga Sioni për shkakun e krizës të COVID-19. Bëhet fjalë për Besir Demirin që është grumbulluar edhe nga Kombëtarja e Shqipërisë. Mbrojtësi është shprehur për “Sportmania TV Shenja” se lojtarët nuk po e pranonin uljen e pagës me 70%, mes të cilëve futet edhe Demiri, ndërsa pas pak ditësh do të vinte mesazhi që duhej të largoheshin në 1 maj duke mbetur pa ekip.

“Më është thënë se gjysma e lojtarëve është e liruar nga klubi. Njëherë na është thënë që do ulim pagat në 70% dhe pasi nuk po pranonin disa lojtarë, për dëmin e madh, në ditët në vijim na ka ardhur urdhëri që në 1 maj do të largohemi. Ata lojtarë që nuk pranuan uljen e pagës do t’i marrin lekët e plota deri në 1 maj dhe do ikim. Tani nuk është kohë e lehtë pasi flitet vetëm për pandeminë. E ardhmja? Kemi kohë ende dhe të shohim ofertat e tjera”, tha Demiri. /Sport Ekspres/