Tjetër afrim i madh te Kosova, ish-sulmuesi i Juventusit lë Zvicrën

Përfaqësuesja e Kosovës është duke kaluar një formë mjaft pozitive kohët e fundit, gjë e cila po sjell frytet e veta. Kjo jo vetëm për sa i përket renditjes ne grupet e kualifikueseve të Euro 2020, por edhe në aspektin e afrimeve të reja në ekip. Tashmë lojtarët nuk e shohin Kosovën me një sy modest, por si një përfaqësuese me të cilën mund të arrijnë lart, duke mos e menduar gjatë zgjedhjen e saj.

Së fundmi mësohet se një tjetër futbollist i talentuar do të përfshihet në grupin e dardanëve. Më konkretisht bëhet fjalë për sulmuesin Andi Zeqiri, i cili luan me skuadrën e Lausanne në Ligën e Dytë zviceriane, ku udhëheq listën e golashënuesëve më të mirë me 6 gola në po aq ndeshje.

Sulmuesi 20 vjeçar, i cili më parë ka luajtur edhe në radhët e Juventusit në formën e huazimit, raportohet se ka vendosur të heqë dorë nga Kombëtarja e Zvicrës për të përfaqësuar Kosovën. Megjithëse nuk mungojnë lojtarët cilësorë në vijën e sulmit, ky reparton vazhdon të pasurohet te dardanët./Sport Ekspres/