Titullin e sjellin golat, Partizani miliona për Shkurtajn

Vasil Shkurtaj ka shënuar deri më tani 5 gola në Superiore me fanellën e Luftëtarit dhe është ndër të paktët qendërsulmues në kampionatin tonë. Sulmuesi vlonjat është vënë në shënjestër të klubit të Partizanit, teksa kolegët tanë të “Panorama Sport” raportojnë se Shkurtaj po monitorohet prej tyre.

Nuk është aspak një “shashkë”, pasi burime të sigurta të “SportEkspres.com” bëjnë me dije se në klubin e kuq janë gati të paguajnë për kartonin e sulmuesit. Titulli është një “fiksim” i vjetër dhe për ta fituar normalisht që edhe duhet të shpenzosh disi.

Problem është fakti që Luftëtari do të dobësohej ndjeshëm në rast se Shkurtaj do largohej dhe mbetet për t’u parë se si palët mund të arrijnë te marrëveshja. Në të shkuarën janë tentuar Abazaj, Bregu dhe Rroca, por për asnjërin nuk është bërë oferta e duhur nga klubi kryeqytetas. Por për Shkurtajn ka edhe konkurrencë, Partizani nuk është klubi i vetëm që e do.

Aktualisht te të kuqtë  po aktivizohet në sulm më së shumti Jurgen Bardhi. Rubin Hebaj, i marrë në huazim nga Domzhale, deri më tani nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës dhe gradualisht e ka humbur edhe formacionin. Kështu në kampin e kuq kërkojnë një lojtar që të mbajë peshën e sulmit.

Kapiteni Alban Hoxha pas ndeshjes me Skënderbeun e pranoi se u nevojitet një lojtar që ta dërgojë topin në rrjetë, ndërsa më pas në njëfarë mënyre edhe trajneri Skënder Gega u dorëzua. Më stil, si zakonisht ai është shprehur se është i hapur për çdo lojtar që do të rriste cilësinë e grupit që drejton. Shkurtaj ua mundëson diçka të tillë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *