Titullarët e Luftëtarit: Ndeshja me Partizanin nuk përsëritet!

Kapiteni Beqiri, por dhe Abazaj e Rapa, theksojnë se ekipi gaboi në ndeshjen e fundit, por do të jetë krejt ndryshe nesër ndaj Kukësit…

Gëzim Beqiri

Tri ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e radhës. Luftëtari vjen pas humbjes së thellë në kryeqytet me Partizanin dhe nesër luan me një tjetër ekip të fortë, Kukësin. Humbja e fundit e ka prishur ecurinë pozitive të gjirokastritëve pas 11 ndeshjeve radhazi pa humbje. Ishte një lojë e dobët nga futbollistët e Luftëtarit ajo ndaj Partizanit dhe këtë e pranojnë edhe ata vetë në biseda të lira. ”Ua dhamë vet fitoren atyre, sepse golat ishin aksidentalë. I pari erdhi mbas një faulli të padhënë nga arbitri dhe Bathës bravo i qoftë që shënoi, kur ne menduam se do të dëgjohej bilbili i gjyqtarit. Të dytin e patë vetë në çfarë rrethanash erdhi, pas një gabimi të pafalshëm, por nëse nuk do të ishim ndëshkuar në atë mënyrë, do të ishim më të kujdesshëm në rastin e penalltisë”, – thotë kapiteni i Luftëtarit, Oriad Beqiri. ”Nuk përsëritet më ajo mënyrë loje dhe nuk na lejohet të gabojmë dy herë radhazi“, – shprehet Kristal Abazaj, ndërsa Oltion Rapa është i mendimit: “Nuk duhet të ketë paragjykime se Luftëtari është ai ekip që u paraqit ndaj Partizanit, por edhe nëse do të humbnim, jo me atë rezultat”.

SHKURTAJ – Ekipi ka zhvilluar rregullisht stërvitje në kuadër të ndeshjes me Kukësin, ku disa futbollistë kanë vepruar veç grupit. Do të mungojë përsëri sulmuesi Vasil Shkurtaj, i cili, sipas mjekëve të ekipit, ka nevojë për disa ditë të tjera pushim. Në stërvitje ka munguar edhe Kristal Abazaj, por ka qenë pranë ekipit në fushën stërvitore. Ai është lënë pushim vetëm dje, ndërsa sot do të stërvitet bashkë me grupin dhe do të jetë në formacion në ndeshjen e nesërme. Përballë Kukësit mendohet të jetë po ai formacion si ndaj Partizanit, me ndonjë ndryshim të vogël.

OBJEKTIVI – Aktualisht, Luftëtari mban vendin e gjashtë në renditje, por është vetëm tri pikë larg skuadrës që renditet e treta. Janë edhe 33 pikë në lojë dhe asgjë nuk mund të thuhet, si për vendet e kreut, ku pretendon të jetë Luftëtari, por edhe për fundin, sepse me tri humbje radhazi mund të përfundosh përkrah Lushnjës në fundin e tabelës. Është kjo arseja që ndaj Kukësit skuadra gjirokastrite duhet të futet në fushë për të marrë vetëm fitoren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *