Tirana-Vllaznia, një pasdite e çmendur!

0

Vllaznia-Tirana, ose Tirana-Vllaznia… Për dy skuadrat është një ndeshje për t’u shijuar dhe rivalitet sportiv në çdo kategori, por për tifozeritë është një mundësi përleshje… E gjitha daton me trazirat e datës 11 shtator 2014, pra thuajse 3 vjet më parë teksa në “Loro Boriçi”, tifozët e Tiranës pushtuan fushën dhe u konfrontuan me tifozët vendas, që më pas ia kthyen “borxhin” duke i ndjekur dhe duke i pritur edhe jashtë stadiumit. Një situatë totalisht jashtë kontrolli e cila do kërkonte ndërhyrjen e policisë, por edhe lojtarëve për të qetësuar gjakrat, teksa atë mbrëmje, pak përpara mesnate, tifozët bardheblu, u nisën drejt kryeqytetit…

Vendimet e Disiplinës prekën të dy klubet, por sidomos atë bardheblu, ku tifogrupi “Fanatics” u dënuan me dhjetë ndeshje pa tifozë. Sakaq, rivaliteti u ndez edhe më shumë pas asaj dite, dhe, një sezon më pas, në Tiranë, autobusi i mbështetësve kuqeblu të Shkodrës u godit me gura nga disa tifozë të Tiranës, teksa në stadium s’pati incidente, pasi tifozët bardheblu s’ishin të pranishëm për dënim. Megjithatë, fitili sapo ishte ndezur dhe, vazhdimisht, vetëm vendimet e njërës palë apo tjetër, pa harruar komisionin, ka çuar në një shmangie konfrontimi.

Një konfrontim i cili edhe përpara disa ditëve u shmang, teksa u godit me gura autobusi shkodran. Por, sot në mbrëmje, në “Asllan Rusi”, përplasja s’mund të shmangej më. Ndeshja e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë në basketboll mes Tiranës dhe Vllaznisë u kthye në arenë ringu, teksa tifozët e Tiranës pushtuan parketin dhe u drejtuan për te “Vllaznit Ultras”, duke goditur me sende shishe uji dhe duke kërkuar konfrontin fizik, teksa u desh ndërhyrja e policisë dhe lojtarëve për t’i shpërndarë, ndërsa pjesa e shkodranëve ishte e rrethuar, por ata hodhën tymyes dhe ndonjë flakadan në parket… Ndeshja u anullua dhe tashmë pritet vendim i Komitetit, se çfarë masash do të merren.

Sipas asaj që ka zbuluar “Sport Ekspres”, kanë qenë basketbollistët e huaj të Vllaznisë ata që nuk kanë dashur të zbresin në fushë, pikërisht amerikanët, pasi në këto kushte s’mund të vazhdohej. Madje, skuadra kuqeblu nuk zbriti as për të kryer nxehjen e zakonshme.

Prapaskena – Por, gjithçka duket se ka nisur që te “Shqiponja”, rrethrrotullimi i hyrjes për në Tiranë, teksa tifozët e Tiranës, “Fanatics”, kanë pritur autobusin e Vllaznisë dhe më pas janë konfrontuar, teksa disa kanë përfunduar në spital, rreth 20 tifozë shkodranë, por edhe disa të Tiranës. Ndërkaq, më pas ka vazhduar në “Asllan Rusi”, teksa forcat e policisë dhe sigurisë kanë zbrazur edhe pesë rreshtat e parë në shkallët e Pallatit të Sportit, por asgjë s’ka ndalur konfrontimin, përpos fyerjeve në distancë.

 

 


SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here