Tirana, vit i zi për financat

2

Bardheblutë kanë shpenzuar rreth 70 milionë lekë, por nuk kanë grumbulluar dot para nga tifozët, e drejta televizive dhe paratë e Europës

Olsi Avdiaj

Ngjitja e Tiranës në Kategorinë Superiore, ka pasur edhe anën e errët të saj. Për bardheblutë, ky ishte viti më “i dobët” i tyre, përsa i përket financave, dhe jo për borxhet me të tretët. Dihet që ato janë “gangrena” e klubit. Këtë herë problemi është hyrje-dalja, apo fluksi i parave të bardhebluve gjatë sezonit. Dihet që sezoni në Kategorinë e Parë, Tiranës i kushtoi rreth 70 milionë lekë, pothuajse sa 7 ekipe të Kategorisë së Parë. Ndërkohë, “gap”-i mes fitimeve dhe humbjeve është shumë i madh. Tirana këtë sezon ka humbur rreth 10 milionë lekë nga tifozët. Për bardheblutë ka qenë sezoni më i errët i pjesëmarrjes së tifozëve në stadium.

Shumë pak para janë grumbulluar dhe 10 milionëshi i vitit të shkuar është shumë larg. Por humbja nuk është vetëm te biletat e tifozëve. Tirana nuk ka marrë as 70 mijë eurot e të drejtës televizive për pjesëmarrjen në kampionat, pasi luajti në Kategorinë e Parë. Shumë pak para fitoi Tirana për sezonin në Kategorinë e Parë nga e drejta televizive. Rreth 1 milionë lekë për një vit transmetim të ndeshjeve, janë shumë pak për ekipin bardheblu. Humbja tjetër e madhe është ajo e parave në Europë. 215 mijë euro të hedhura poshtë nga dënimi i UEFA-s, kanë çmendur drejtuesit e bardhebluve, të cilët e shohin bilancin e sezonit, vetëm me minus. Skuadrën e ka mbajtur gjatë vetëm shitja e lojtarëve verën e shkuar dhe pak o gjë ka ardhur nga Superkupa, apo ndonjë bonus tjetër prej sponsorëve teknikë. Shkurt, Tirana ka rreth 50 milionë lekë minus këtë sezon, i cili ishte viti më i errët i bardhebluve si teknikisht dhe financiarisht, pasi luanin në Kategorinë e Parë. I vetmi zë me fitim për Tiranën ishte qiraja e stadiumit, që u ka sjellë bardhebluve, në 18 ndeshje, 7.2 milionë lekë të ardhura.

Sezoni i shkuar 

Tirana në aspektin financiar vjet ia doli të kullandrisej shumë mirë edhe pse ra një kategori më poshtë. Vjet skuadra fitoi plot 700 milionë lekë të vjetër. Edhe pse vjet ishte “vit i zi” me tifozët, dhe ata munguan për 12 ndeshje në stadium, Tirana për gjatë gjithë sezonit grumbulloi 100 milionë lekë nga biletat. Sponsorët dhe reklamat sollën në arkat e Tiranës 100 milionë lekë. 91 milionë lekë ishte shuma e fituar nga e drejta televizive sezonin e shkuar, ndërkohë që 60 milionë ishte fitim nga dhënia me qira te Partizani. Kupa dhe “Fair Play” sollën në arkat e bardhebluve, 65 milionë lekë. Të gjitha bashkë dhe pa paratë e së drejtës TV të Europës dhe ndonjë bishti tjetër bëjnë 700 milionë lekë të vjetër fitim. Shitja e 3 lojtarëve, Mervejlit, Akuasë e Berishës, që sollën në arkat e klubit 690 mijë euro. Po kështu, Bashkia në qershorin e shkuar pagoi edhe 400 milionë lekë të vjetër nga borxhet e mëparshme, që shkojnë rreth 1 miliard lekë të vjetër, e mos më shumë.

You might also like
2 Comments
  1. Besi says

    Keto jane kembana alarmi per refik halilin. Nese ai nuk kerkon te lincohet edhe me tej nga tfozet e tirones ai duhet ti jape zgjidhje urgjente ceshtjes ose te garantoje mbarevajtjen finanaciare te rikthimit ne superiore duke garantuar nje buxhet konkurues ose te ftoje biznesmene te tjere ne forme aksioneresh per te perballuar sezonin qe nuk eshte larg dhe qe nga tifozet pritet shume madje dhe titulli kampion i munguar prej gati nje dekade ose refiku te shese te gjitha aksionet e tij nese e vlereson se nuk eshte ne gjendje te permbushe kerkesat. Perndryshe do te jete nje katastrofe nga te gjitha aspektet qe mund te kete ndikim tek ecuria e ekipit

  2. patrioti says

    Halili nuk ka financa,eshte shume keq me to.Duhet urgjent te shesi aksionet dhe te largohet.Edhe aksionet e bashkise duhet te shiten qe Tirana te jete100% private dhe te kthehet ne nje klub europian ashtu sic i takon.

Leave A Reply

Your email address will not be published.