Tirana, sot për të mbajtur gjallë sezonin

0

Olsi Avdiaj

Tirana luan sot sezonin në Kukës, në një 90 minutësh që vendos shumë për një vit që mund të rezultojë në fund të majit më shumë se i dështuar. Kualifikimi apo jo në gjysmëfinale për Tiranën do të thotë, humbjen e shansit të një trofeu që mungon prej pesë vitesh në kryeqytet te bardheblutë. Dhe dështim i njërit prej objektivave sezonalë është një tjetër goditje e një skuadre që ka probleme pa fund. Tirana përballet me Kukësin, pas të shtunës së tmerrshme të polemikave kundër veriorëve të Gjokës, që fituan në “Selman Stërmasi” në kampionat me përmbysje. Por këtë herë ndeshja nuk luhet në baste dhe “gojët e liga” thonë që kualifikohet Tirana. Gjithsesi, nga bardheblutë ka vetëm heshtje dhe askush nuk flet, ndonëse luan sot ndeshjen e kthimit dhe shumë delikate në stadiumin “Zeqir Ymeri”, përballë një Kukësi që ka fituar takimin e fundit mes dy skuadrave. Por Tirana shkon me një fitore në “xhep” që mund të rezultojë vendimtare për kualifikimin në turin tjetër. Tashmë dihet që Erando Karabecit do t’i duhet një kohë e gjatë pas aksidentit që pësoi në tualet menjëherë pas kthimit në Turqia. Domgjoni gjithashtu është i dëmtuar, sikurse Moise nuk ka arritur të riaftësohet në kohë për Kukësin. Lajm i mirë është rikthimi nga dëmtimi i Teqjes si dhe përgatitja e Gentian Muçës bashkë me grupin. E gjitha pjesa tjetër e skuadrës është përgatitur normalisht nën urdhrat e Mirel Josës, i cili ka qenë mjaft aktiv në këtë seancë të fundit para çerekfinales së kthimit të Kupës me Kukësin. Ky takim do të zhvillohet në orën 13:30 dhe do të përcaktojë skuadrën që do të kualifikohet për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Ndeshja e parë – Tirana theu Kukësin, pas plot 30 ndeshjesh pa humbje në shqipëri. Verilindorët u mundën në ndeshjen e parë çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, por gjithsesi duke lënë të hapur çështjen e kualifikimit në “Zeqir Ymeri”, aty ku do të vendoset sot gjysmëfinalistja e këtij çifti. Në ndeshjen e parë golave të Halilit dhe Takut në 45-minutëshin e parë, ju përgjigj Imami me fillimin e pjesës së dytë. Në të 30-ën Daja hodhi një top të mrekullueshëm brenda zonës, aty ku Halili me një veprim akrobatik la të shtangur Kocin, duke i dhënë udhë topit drejt rrjetës dhe kaluar në avantazh të tijtë. Pak minuta më vonë nga këndi ishte G.Lika që çoi një top brenda zonës. Nuk largon siç duhet mbrojtja e Kukësit dhe topi përfundoi tek “goleadori” Taku, i cili çon të tijën në dhomat e zhveshjes në epërsi të dyfishtë. Fraksioni i dytë nisi aty ku u mbyll i pari, me gol. I.Lika nuk largon ashtu siç duhet një top, që përfundon tek Imami, me 24-vjeçarin që godet me të parën, duke ngushtuar rezultatin me një supergol. Bardheblutë u pajtuan me rezultatin, por kuksianët provuan deri në fund të ndryshonin diçka dhe pse tentativat e tyre nuk ishin të suksesshme. Gjithçka e hapur sot në “Zeqir Ymeri” do të vendoset fati i çerekfinales më të fortë të Kupës. Kryeqytetasit do të shkojnë favorit nga fitorja e ndeshjes së parë. Sigurisht nëse kualifikohen do të kenë polemika pa fund, pas ngjarjeve të së shtunës, ku dy skuadrat u akuzuan nga opinioni sportiv për një marrëveshje në tavolinë, Kampionat-Kupë.

Formacioni, kthehen “big”-ët

Tjetër dilemë për Mirel Josën në formacionin e Kupës. Për formacionin në fushën e lojës janë disa alternativa. Në fakt, skuadra me të gjitha gjasat do të luajë me katër mbrojtës. Kthehet Muça në qendër së bashku me Turtullin. Në fushë në vend të ish-dinamovitit mund të jetë edhe Teqja i riaftësuar. Nga krahët Hoxhallari djathtas e Doka majtas pritet të jenë titullarë me Kërçikun që është alternativë. Në mesfushë, frenat e lojës i ka Merveil ndërkohë që G.Lika, Daja e Taku plotësojnë mesfushën. Në sulm dyshja Edeh-Halili. Ky është formacioni që ka provuar gjatë gjithë këtyre ditëve, trajneri Mirel Josa. Në “bokse” Moise që duket se vuan nga një lodhje fizike. Por mund të jetë edhe në fushë nëse është gati për ndeshjen e sotme.

Formacioni

Lika; Doku (Kërçiku), Muça, Turtulli (Teqja), Hoxhallari; Taku, Merveil, Lika, Daja; Edeh, Halili

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here