Tirana “sakatohet” para finales, sa shumë probleme për Memën!

Tirana do të luajë të dielën ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, në Laç, një nga ato ndeshje që vlejnë sa një trofe, sepse një pikë do të thotë mbijetesë për bardheblutë, që nuk duan të qëndrojnë me mendjen te ndeshjet e Kastriotit, për ndonjë dhuratë.

Momenti psikologjik i Tiranës nuk është aspak i mirë, rezultatet e fundit po rëndojnë tmerrësisht shumë dhe barazimi ndaj Kastriotit ka pasur shijen e disfatës, ndaj trajneri Ardian Mema po punon shumë për të qetësuar moralisht një skuadër që është në një udhëkryq të çuditshëm, sepse është në finalen e Kupës dhe nëse mbijeton në Superiore, mund të tentojë goditjen e madhe ndaj Kukësit.

Përtej frikës nga rënia dhe presionit, te Tirana po peshojnë edhe problemet fizike, sepse në Laç mund të mungojnë disa titullarë.

Asion Daja dhe Erando Karabeci janë të dëmtuar dhe nuk do të jenë në dispozicion të Memës në Laç. Edhe mesfushori Toni Mawejje është në dyshim të madh, ndërkohë që mbrojtësi Dorian Kërçiku ka probleme të vjetra fizike dhe ka kohë që po luan me sforcim.

Edhe Albi Doka mund të mos luajë për një tërheqje muskulore, ndërsa sulmuesi Junus Sentamu ka prishur marrëdhëniet me grupin dhe praktikisht e ka mbyllur me Tiranën, që e toleroi shumë edhe në janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *