Tirana Regbi Klub kthen sportin e munguar në kryeqytet

0

 

Që nga 2013-ta, kur për herë të fundit një grup shqiptarësh nga Italia patën bërë promovimin e këtij sporti në “Selman Stërmasi”, gjithçka ishte harruar. Sot Kupa “Skënderbeu” me një ekip të Kosovës për të bashkuar të gjithë shqiptarët

Regbija nuk duket se do të jetë sport i harruar në vendin tonë. E për këtë ka menduar Tirana Regbi Klub, e cila është krijuar në verën e vitit 2013, kjo të paktën edhe sipas sekretarit të kësaj shoqate Maringlen Nezaj. Tashmë gjërat kanë ardhur duke u konsoliduar nga fakti se më 2015-ën kjo shoqatë është regjistruar në gjykatë si organizatë jo fitimprurëse. E tanimë ka menduar që të bashkojë të gjithë shqiptarët në një aktivitet të vetëm, teksa sot në ora 14:30 në ish-kompleksin “Dinamo” do të organizohet Kupa “Skënderbeu” mes Tirana Regbi Klub dhe një ekipi kosovar. Sipas Nezajt, ndeshja e parë do të zhvillohet sot në vendin tonë, e dyta në Kosovë dhe finalja në Shqipëri, që do të shpallë dhe kampionen. Duke shpjeguar aktivitetin e kësaj shoqate për “Sport Ekspres” Nezaj do të deklaronte: “Në fillim kemi qenë pa eksperiencë. Por ardhja e Xhino Drangut nga Anglia, teksa kishte luajtur pesë vjet atje, na dha një tjetër dorë. U bëmë skuadër, ndërsa rreth nesh u bashkuan shumë të rinjt. Aktiviteti i parë në të cilën kemi marrë pjesë ishte ai i organizuar nga disa emingrantë shqiptarë në Itali dhe luanin me skuadra italiane. Kemi bërë dhe një ndeshje në Kosovë. Më pas në 2014-ën kemi pasur edhe një anglez si Adem Vernon, i cili ishte lojtar me eksperiencë. Jo vetëm kaq, por kemi luajtur edhe një ndeshje tjetër me Kosovën. Sivjet kemi marrë në një turne në Kosovë ku kemi luajtur përballë Kosovo Rosters Regbi Klub dhe një skuadre nga Belgjika, Kibuku Regbi Klub. Kemi luajtur dhe dy ndeshje në Podgoricë, kurse tashmë kulmi është me Kupën Skënderbeu”. Kjo pak a shumë është Tirana Regbi Klub, që po e ngjall këtë sport të harruar prej dy vjetësh që nga koha që më 2013-ën në “Selman Stërmasi” është promovimi i parë dhe i fundit i këtij sporti nga Gaspër Daupi. Shqiptarët e Italisë vijojnë të luajnë atje. Por tashmë në vendin tonë i takon Tirana Regbi Klub që të bëjë këtë gjë, teksa sot nis zyrtarisht Kupën “Skënderbeu”, ndërsa do të bashkojë të gjithë shqiptarët në një aktivitet të vetëm.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image