Tirana pa Kobinën, Mema: Të tregohemi ekip i madh, fusha i vetmi problem

0

Ardian Mema, trajneri i Tiranës, vlerëson maksimalisht Kastriotin, kundërshtarin e nesërm në kampionat. Tekniku i bardhebluve ka vetëm një problem, fushën jo të mirë ku do të luhet përballja me krutanët. Fakti që luhet përballë publikut të Kastriotit nuk është një problem, sikurse edhe Mema deklaroi para mediave.

“Është një ndeshje delikate, një ndeshje që nëse e fitojmë na ngjit edhe më shumë. Pra në bën të shohim më shumë pjesën sipër dhe jo atë poshtë. Takim i rëndësishëm dhe për këtë kam folur edhe me lojtarët. U kam thënë djemve që na pret një ndeshje shumë e vështirë, aq më tepër që mora vesh dje që do zhvillohet në Fushë-Krujë. Nuk më bezdis ky fakt, por fusha. Nuk është në gjendje të mirë, por është e barabartë për të dyja ekipet. Gjithsesi duhet t’i bëjmë hyzmetin edhe aty ku kushtet nuk janë të mira”, u shpreh Mema.

“Dëmtim ndaj Tiranës, fakti që luhet në Fushë-Krujë? Jo, e thashë thjesht si kushte. Kampionati aty ka nisur, nuk ka nisur në fusha asnjanëse. Çdo ekip duhet të përgatitet për kushtet jo të favorshme. Problemi im është vetëm fusha. FSHF ka bërë shumë mirë, pasi atje është një komunitet që do të shohë futboll. Është krejt normale”.

KUNDËRSHTARI  – Mema vlerëson krutanët: “Kastrioti është një ekip që lufton shumë, bën shumë presion. E kam marrë shumë në konsideratë fazën mbrojtëse të atyre, pasi luftojnë shumë. Edhe ne e kemi përgatitur ndeshjen dhe shpresojmë t’ia dalim me sukses”.

SITUATA NË EKIP – “Kobina nuk do të jetë, pasi ka pësuar një dëmtim në gju. Shpresojmë të jetë në ndeshjet e ardhshme. Sentamu mund të jetë pjesë e listës së të grumbulluarve që nesër. Ka ardhur me vonesë dhe nuk mund ta fusim direkt. Ka dy muaj që ne luajmë dhe stërvitemi, i duhet koha  e nevojshme. I kam bërë testet fizike javën e shkuar dhe treguan që është stërvitur dhe në gjende të përballojë lojën”.

EUFORIA – “U kam thënë lojtarëve që duhet të mbrojmë rezultatet tona. Jo rastësisht kemi ardhur këtu. Ndaj duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të jemi ekip i madh. Ato fitojnë gjithë kohën. Ekipet e vogla kanë ato oshilacionet, që njëherë humbasin, njëherë fitojnë, ose humbasin shpesh dhe rrallë fitojnë”.

PËRMIRËSIMI I MBROJTJES – “Shpresoj të kemi bërë punë të mirë sa i takon fazës mbrojtëse dhe përqendrimit në lojë dhe stërvitje. Besoj se ka qenë me nota pozitive pjesa se si lojtarët i kanë marrë në konsideratë ndeshjet dhe stërvitjet. Nuk është vetëm përqendrimi që e ka përmirësuar mbrojtjen e Tiranës. Është një punë në vazhdimësi. E kam thënë se duhet kohë për një trajner për të rregulluar gabimet. Lojtarët më kanë kuptuar dhe kjo më gëzon. Ata kuptojnë mentalitetin dhe filozofinë time të punës”.

VENDI I KATËRT – Tirana kërkon  Europën dhe një mundësi është edhe vendi i katërt, nëse Kupa fitohet nga njëri prej ekipeve të renditura në krye. “Shpresojmë të fitojmë njëherë, pastaj i shohim gjërat ndryshe më pas. Nëse vazhdojmë të fitojmë, i kërkon vetë vetes të shohësh nga kreu”, tha Mema.

GOLEADAT ME KASTRIOTIN – Në dy ndeshjet e para në kampionat, Tirana i ka shënuar minimalisht tre gola Kastriotit. Gjithsesi për Memën nuk ka rëndësi se sa gola realizohen. “Besoj se nuk do të jetë njëjtë. Edhe me gjysmë goli të fitojmë këtë herë, nuk ka problem, Më interesojnë më shumë tre pikët, se golat”, përfundoi trajneri i Tiranës, Ardian Mema.

FLORIAN ALLA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.