Tirana pa alternativa, kualifikim ose dështim total

0

Heshtje dhe direkt grumbullim për të eliminuar Besëlidhjen. Kjo është Tirana 24 orë para sfidës së dytë me lezhjanët në Kupën e Shqipërisë. Bardheblutë e Mirel Josës kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes së dytë me lezhjanët, por situata e qetë në “Skënder Halili”, fshihte shqetësimin e trajnerit dhe lojtarëve para një ndeshje që mund të lehtësojë sezonin, apo të vulosë dështimin e kampionati të tërë. Vetë Josa ka pranuar se nuk e kishte me qejf të reklamohej para kësaj ndeshjeje, që është më e rëndësishmja për sezonin bardheblu edhe pse mediat prisnin një prononcim të tij. Barazimi 1-1 në takimin e parë të zhvilluar në “Zeqir Ymeri”, nuk është arsyeja e këtij vendimi në kapin bardheblu, por situata e vështirë në kampionat, pas barazimin 0-0 në shtëpi me Laçin. Kryeqytetasit janë vetëm 4 pikë larg zonës së ftohtë dhe duke parë kalendarin e ndeshjeve në vazhdim rrezikojnë seriozisht mbijetesën. Përtej ecurisë aspak pozitive në kampionat skuadra e Josës është vetëm një hap finales së Kupës dhe nëse e fiton trofeun siguron pjesëmarrjen në Europa League. Tirana duhet të fitojë ose të barazojë pa gola, sepse të gjithë rezultatet e tjerë nuk e kualifikojnë skuadrën bardheblu. Tirana sot luan 90 minutat e fundit që mund ta ngjallin, ose ta “varrosin”. Ta çojnë në finalen e Kupës së Shqipërisë që i shpëton skuadrës së Refik Halilit sezonin më të keq në historinë e saj prej 1920-ës. Nëse nuk ia del, atëherë dështimi është i vulosur.

Mungesat – Janë shumë ata që mungojnë sot kundër Besëlidhjes. Tirana vazhdon të vuajë në këtë pjesë të fundit të sezonit mungesat e Muçës, Domgjonit dhe Bajramit, ndërsa lajmi i mirë është përfshirja e Dorian Kërçikut në stërvitjen e grupit, çka do të thotë se mbrojtësi i krahut të djathtë do të jetë i gatshëm për Besëlidhjen. Domgjoni ka qenë me grupin dhe ka zhvilluar pak stërvitje dhe më pas është futur në dhomat e zhveshjes dhe ka vazhduar riaftësimin.

 

BESËLIDHJA

Bruka e Smajli: Kualifikohemi, ia dimë sekretet Tiranës

Nga Lezha tentojnë arritjen e madhe. Besëlidhja të martën pasdite pas stërvitjes, u nis drejt Tiranës për të qenë të mërkurën aty ku do të ndeshjet me Tiranën për llogari të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë. Në takimin e parë që u zhvillua në Kukës, pasi stadiumi “Besëlidhja” nuk u licencua nga Federata, Besëlidhja barazoi me Tiranën 1-1. Një barazim shprese për lezhjanët. Të gjithë këtu në Lezhë ende besojnë në një kualifikim të mundshëm, që do të thotë finale e Kupës së Shqipërisë, një risi, që po qe se do të realizohet do të jetë një rekord për një skuadër të Kategorisë së Parë, siç është Besëlidhja. Trajneri Alban Bruka, kapiteni Dritan Smajli, gjatë prononcimeve të tyre për “Sport Ekspres”, i lidh besimi në një kualifikim të mundshëm. Alban Bruka ishte i pari që foli për ndeshjen e sotme. “Gjatë këtyre ditëve që patëm në dispozicion kam punuar me skuadrën me një program enkas për këtë sfidë. Kjo skuadër ka nevojë vetëm për punë, pasi nuk mungon produkti cilësor në radhët e saj. Të gjithë futbollistët janë në lartësinë optimale nga të gjitha pikëpamjet, pasi edhe moralisht janë shumë lartë dhe të frymëzuar nga barazimi në Kukës ndaj Tiranës për Kupë dhe fitorja bindëse ndaj Erzenit për kampionat. Normalisht që nuk është e lehtë të përballesh me Tiranën që ka një trajtim tjetër, pasi luan në Superiore, pa përmendur historinë dhe sukseset e saja në kompeticionet kombëtare. Të gjithë futbollistët  gjatë këtyre ditëve stërvitore treguan një klas të lartë dhe një moral prej kampionësh. Dhe kjo është ana më bindëse që na e mban shpresën gjallë për një kualifikim”, tha trajneri Alban Bruka.

Kapiteni Dritan Smajli një ish-bardheblu e sheh kështu sfidën e sotme. “Barazimi që morën në sfidën e parë ndaj Tiranës që u zhvillua në Kukës erdhi për shumë arsye, por për mua më kryesorja ishte se nuk ishim në fushën tonë, pavarësisht se quhej e tillë. Por për ne është një gjë pozitive, pasi në Tiranë shpresojmë të japim edhe më shumë. Ndonëse Tirana është një skuadër shumë e madhe nga të gjitha pikëpamjet që tashmë dihen, unë ja di edhe dobësitë, ndaj me lojën tonë, kujdesin dhe përqendrimin maksimal besoj se do ja dalim që edhe Tiranën ta skualifikojmë. Tashmë kemi treguar me vepra se ne dimë që t’i skualifikojmë skuadrat e mëdha, pasi deri tani kemi lënë pas Partizanin, kandidat për trofeun, më pas Flamurtarin, po aq historik dhe ndoshta tani e radhën Tirana që të pësojë fatin e tyre me gjithë respektin që kam për të”, e mbylli bisedën kapiteni i Besëlidhjes, Dritan Smajli.

 

BILANCI TIRANA-BESËLIDHJA

Bilanci: 11 ndeshje (7 f, 2 b, 2 h, gol. 20:5)

Rezultati i kualifikimeve: 4-1
Përballja e parë i përket vitit 1960, në turin e parë. Në Lezhë Tirana fitonte 0-1. Ashtu si tani, Besëlidhja luante në kategorinë inferiore, ndërsa Tirana në elitë. Kryeqytetasit shënuan shpejt me Pavllo Bukovikun. Tri ditë më pas, saktësisht më 21.09.1960, luhej ndeshja e kthimit në Tiranë, ku bardheblutë fitonin 5-1. Pavllo Bukoviku dy herë, Saimir Dauti, Enver Shehu e Petrit Skënderi u jepnin një “shuplakë” lezhjanëve, që shënuan  1 gol me Isuf Pelingun. 13 vite më vonë, në turin e 4-t, për vendet e ulëta 9-10, Besëlidhja fitonte në Lezhë 1-0, me gol të  Nikolin Lorencit në minutën e 58-të. Ndeshja e kthimit në Tiranë mbyllej në barazim 0-0 dhe lezhjanët u renditën një vend më lart, duke fituar të parin e të fundit kualifikim të deritanishëm. Në vitin 1978, të dyja ndeshjet po për turin e 4-t, për vendet 7-8, i fitonte Tirana. Në Lezhë shënonte 2 herë Arben Minga në 35-ën e 49-ën, ndërsa në Tiranë ndeshja mbyllej 3-1. Të 3 golat e bardhebluve i shënonte Arben Minga në minutat 22’, 47’ e 68’, kurse për Besëlidhjen shkurtoi diferencën Fehmi Rama në 83’. Interesante 2 sfidat e vitit 1982, në turin e dytë. Në Tiranë, më 07.03.1982, Millan Baçi në 75’, me 11-metërsh, u jepte fitoren 1-0 bardhebluve. Pas një jave në Lezhë, Besëlidhja balanconte gjithçka me golin e Axhamit në 27-ën. U luajt koha shtesë, që nuk solli ndryshim rezultati dhe me anë të 11-metërshave ishte Tirana që u kualifikua në turin e tretë, pasi fitoi 4-3. Me 2 fitore të thella kalojnë 2 përballjet për turin e dytë më 20 dhe 27 janar 2001. Ndeshja e parë u luajt në Krujë, ku Tirana fitonte 4-0, me gola të Erjon Rizvanollit (34’), Sokol Bulkut (59’), Nevil Dedes (61’) e Sokol Prengës në të 87-ën. Ndeshja e kthimit në kryeqytet fiksonte shifrat 3-0, ku shënonin 2 herë Erjon Rizvanolli 14’ e 46’ dhe Enkli Memishi 76’. Takimi i parë i edicionit aktual është i një rangu më të lartë, sepse ndeshen në gjysmëfinale. Takimi i parë u luajt më 5 prill, në fushën asnjanëse të Kukësit, ku Tirana shënoi e para me Mervejlin në të 59-ën, por 8 minuta më pas Besëlidhja barazoi me Bledar Marashin. Avantazhi i golit në fushë kundërshtare është favor për Tiranën, që kualifikohet edhe me barazim pa gola. Barazimi 1-1 e çon ndeshjen në shtesë, ndërsa çdo barazim me më shumë gola kualifikon Besëlidhjen.  

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here