Tirana nuk ankohet në KAS, humbet gjyqin me UEFA-n

Humbasin përfundimisht 215 mijë eurot. Konfirmohet se Tirana nuk ka apeluar vendimin e komisionit financiar të UEFA-s

0

Olsi Avdiaj

Tirana humbet përfundimisht 215 mijë eurot e Europës. Pas dënimit për deklarata jo të rregullta financiare, Tiranës iu mbajtën 215 mijë euro nga UEFA. Ndonëse asnjëherë klubi bardheblu nuk deklaroi qartë se çfarë do të bënte pas vendimit, përfundimisht Tirana i ka humbur ato para. Klubi bardheblu nuk ka apeluar vendimin e UEFA-s në CAS Lozanë dhe përfundimisht i ka dhënë lamtumirën thesit me euro që mund t’i shpëtonte jo pak sezonin në Superiore. Nga CAS-i është konfirmuar zyrtarisht për “Sport Ekspres”, se klubi Tirana nuk ka apeluar vendimin e UEFA-s, brenda 10 ditëve. Zyrtarët e shtypit në Lozanë kanë bërë me dije me anë të një “emaili” se nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë vendim, kërkesë, qoftë edhe në pritje për të shqyrtuar vendimin e 6 marsit të 2018-ës, i cili ndëshkoi bardheblutë me mosdhënien e 215 mijë eurove, që duhet të merrte Tirana nga pjesëmarrja në Europë dhe 3000 euro para që do të paguhen si kosto gjyqësore. Përfundimisht, Tirana “t’i qajë” paratë e sezonit të shkuar europian, pasi as me gjyq nuk i merr dot. Një goditje e rëndë për bardheblutë, që nuk kuptohet përse nuk kanë apeluar vendimin e UEFA-s në CAS Lozanë. E njëjta histori ndodhi edhe më çështjen Muzaka, për të cilën u tha se ajo ishte në CAS, por Tirana nuk ishte ankuar fare.

Historia – Institucioni Europian i Futbollit dënoi Tiranën për “hile” në dokumentacionin për licencimin për ndeshjet Europiane, ose më saktë konsideron licencimin e bërë nga FSHF-ja të pavlerë dhe të marrë në mënyrë jo të rregullt. Sipas UEFA-s, klubi bardheblu dhe FSHF-ja kanë gënjyer këtë institucion, duke ndërtuar një dosje të plotë me letra të rreme, që Tirana të licencohej për në Europë në sezonin 2017-2018. Pas një hetimi disa mujor të hapur në shtator 2017 e mbyllur në mars 2018 kur është marrë edhe vendimi përfundimtar, UEFA ka vendosur, që për hile, mënyra të pandershme, fshehje të gjendjes financiare të klubit Tirana dhe mospagim borxhesh të dënojë bardheblutë.

Bardheblutë nuk do të përfitojnë paratë që u takojnë nga pjesëmarrja në Europa League, ku luajtën me Makabi Tel-Avivin. Vendimi për të mos u kaluar paratë bardhebluve është marrë më 6 mars nga Komisioni i Licencimit të UEFA-s.

Po si qëndron e vërteta? Në mars 2017, Tirana si çdo klub tjetër në Shqipëri, aplikoi për licencim për në Kupat e Europës, meqenëse ishte në lojë për t’u kualifikuar për Europa League. Tirana plotësoi dosjen, por FSHF e rrëzoi këtë klub në raundin e parë të licencimit. Problemi kryesor ishte mospagimi i taksave dhe tatimeve për vitet 2011-2014. E gjendur mes katër rrugëve, Tirana i kërkoi ndihmë FSHF-së. Institucioni i futbollit në apelin, që bëri klubi bardheblu e orientoi që të bënte një marrëveshje me tatimet dhe më pas klubi mori licencën për të luajtur në Europë. Në shtator, pas ndeshjeve europiane dhe parave që klubi mori nga Bashkia, Tirana (edhe Skënderbeu) u njoftua për një vendim të ri të UEFA-s. Europianët mendonin se licenca e  Tiranës ishte marrë me dokumentacion të parregullt. Shkurt, UEFA mendonte se Tirana e federata kishin “gënjyer” me dokumentacionin dhe për këtë do të hapej një hetim. Më 6 mars 2018 u mor vendimi se Tirana kishte mashtruar me dokumentacionin e licencimit, ose më saktë FSHF nuk e kishte kryer siç duhej procesin e licencimit dhe ndaj vendosi që t’i anulojë Tiranës pagesën për Kupat e Europës. Në fakt këtu problemi koklavitet edhe më shumë, sepse Tirana nën zë akuzon FSHF-në, që ishte ajo që pranoi dokumentacionin e bardhebluve dhe e licencoi për në Europë. Sipas Tiranës, FSHF është përgjegjëse, sepse ajo i dha “Ok”-in për të luajtur në Europë dhe fare mirë institucioni i futbollit mund ta kishte refuzuar kërkesën e bardhebluve.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.