Tirana, një çështje me Ze Marian

Klubi dhe trajneri diskutojnë për pezullimin e Turtullit. Ka ardhur momenti që ndoshta të ulen disi gjakrat

Gjergji Stefa

Turtulli e pa në sy dhe i tha: Jam i dëmtuar, nuk mund të stërvitem. Ze Maria nuk është budalla. E kuptoi menjëherë që lojtari ishte i pakënaqur. Disa sekonda më parë nuk i kish dhënë jelekun e titullarit përpara ndeshjes së radhës. Nënteksti ishte i qartë: do jesh rezervë. Turtulli nuk e kapërdiu, por as Ze Maria. Që nga ajo ditë lojtari ka qëndruar në tribunë ose në pankinë. Kush ka të drejtë?

Nuk ka asnjë diskutim që lojtari në parim ka gabuar. Asnjë futbollist në asnjë skuadër për asnjë arsye nuk duhet të kontestojë në publik zgjedhjet e trajnerit. Ca më tepër Turtulli, një nga ata që ka dy sezone që luan titullar i padiskutueshëm dhe që tanimë është në rolin e një të preferuari fiks. Por si i thonë fjalës, lojtarët janë ata që janë, kanë një moshë të caktuar dhe përjetime personale ndonjëherë të nxituara. Si i bëhet? Dënim me vdekje apo disi tolerancë?! Ze Maria ka zgjedhur burgimin e përjetshëm për momentin. Turtulli normal që është penduar, por nga ana tjetër njësoj si në një gjyq precedentët nuk i ka kundër. Aq sa ka te Tirana nuk ka pasur asnjëherë problem sjellje, nuk ka pasur asnjëherë pretendime të mëdha financiare, ka respektuar vendimet e gjithë trajnerëve dhe klubit. A nuk i falet dikujt një sjelle e tillë?

Ze Maria ka stereotipin e tij si trajner dhe trajneri nuk gjykohet nga sjellja, por nga rezultatet. Nuk është hera e parë që krijohen situata të caktuara. Në fillim të sezonit ishte Doka ai që vuajti disi rregullat e pazbatuara të trajnerit. Më pas dhe ndokush tjetër.

Klubi fillimisht nuk u ndje. Tirana dhe Ze Maria kanë një marrëdhënie tërësisht profesionale. Ndoshta nuk ka dashuri, por në asnjë moment nuk ka pasur ndërhyrje. Kjo argumentohet me fakte. Teorikisht opinioni mendonte që këtë sezon djali i presidentit, Halili, do kish minuat më shumë në dispozicion. I ri dhe i talentuar, si dhe ekipi luan në Kategorinë e parë. Ze Maria nuk bëri atë që ndokush mendonte. E njëjta gjë ndodhi dhe me djalin e ish-presidentit të Tiranës, aktualisht zëvendëspresidentit të federatës, Nuri. Ze Maria nuk e përfilli dhe më pas ai u largua te Dinamo. Pra si i thonë fjalës, nëse nuk është ndërhyrë për dy raste brenda familjes, nuk ka shans të ndërhyhet për lojtarë të tjerë. Kjo mund të jetë dhe një meritë e Ze Marisë, por klubi ka vendosur ta lërë të punojë të qetë deri ditën e fundit të merkatos. Tek-tuk ka dhe ndonjë pakënaqësi për rezultatet. Tirana u eliminua në çerekfinalen e Kupës kundër Kukësit dhe në fushë ishin dy blerjet e janarit, Musa dhe Muguna, të dy të propozuar me forcë nga trajneri, ndërkohë që në kampionat ende nuk ka fituar asnjë ndeshje direkte kundër Bylisit. Gjithsesi është në vend të parë dhe kaq mjafton për të qenë i paprekshëm.

Tanimë klubi ka menduar që në raste të caktuara të diskutojë. Një takim mes palëve, gjithsesi formal dhe pa asnjë prepotence, e ka vënë në dijeni trajnerin, që duhet të marrë një vendim për Turtullin. Lojtari është ankuar për hatërmbetjen e trajnerit dhe klubit me të drejtë dëshiron të dijë nëse Ze Maria e llogarit apo jo. Turtulli është i ri, 22 vjeç dhe klubi e sheh si potencial, madje dhe si investim dhe për tregun ndërkombëtar. Në fund sigurisht ai që do të vendosë është trajneri. Ndeshja është nesër dhe duhet të presim të shohim nëse lojtari do luajë. Në asnjë rast nuk duhet konsideruar si një fitore e njërit apo e tjetrit. Ze Maria nuk duhet ta shndërrojë çështjen në fjalë si një motiv për të treguar dhëmbët dhe klubi nuk duhet të ndërhyjë deri në pikën që të bezdisë trajnerin. Por si i thonë fjalës, dhe kaq larg nuk duhet të jenë. A janë klubi dhe trajneri “një” te Tirana?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *