Tirana nis marshimin drejt Superiores, gjakoset Daja

0

Bardheblutë fitojnë 0-3 në transfertë, pas 19 muajsh shterpësi. Këtë herë shënojnë sulmuesit e huaj Sentamu e Ngo

Olsi Avdiaj

Junus Sentamu-Majkëll Ngo! Një fitore me ngjyra për Tiranën. Dy lojtarët e huaj me tre golat e tyre i japin tri pikët bardhebluve në transfertën e Pogradecit, në një ndeshje që para saj, dukej e sikletshme, por që rezultoi shumë e thjeshtë për bardheblutë. Trajneri Ze Maria udhëtoi drejt Pogradecit me një formacion, ku ishte kthyer Doka djathtas, e Sentamu kishte zënë vendin e Çelhakës në të majtë. Në sulm Ngo luante si titullar. Nga ana tjetër, rreth 1500 tifozë pogradecarë në stadium kërkonin të njihnin Tiranën e Kategorisë së Parë.

Që në fillim, bardheblutë kërkojnë golin dhe ia dalin, pasi triumfi i Tiranës erdhi me golat e përforcimeve të merkatos së janarit. Sentamu prishi ekuilibrat në minutën e 30-të. Para se të shënonte golin e parë, ugandezi i dha një asist Dokës që nuk ia doli të shënonte, ndërsa traversa i mohoi golin Karabecit. Para se të mbyllej pjesa e parë, anglezi Ngo humbet në shans për golin e dytë. Pjesa e dytë nis me një “marrsh” më shumë për bardheblutë e një Pogradec të fikur. Është Karabeci që vetëm me portierin në minutën e 58-të humbet një rast për gol.

Por goli i dytë nuk vonoi, pasi Ngo me forcë i kalon të gjithë dhe shënon në portën e Malit. Për t’u regjistruar në sfidën e dominuar nga skuadra e Ze Marias ishte edhe episodi i minutës së 67-të, kur Asion Daja u godit me një objekt të hedhur nga tribuna, ndoshta gur. Mesfushori mbeti i gjakosur, ndërsa ndeshja u ndërpre për disa minuta, për të vijuar normalisht, me lojtarin bardheblu që luajti i fashuar në kokë.

Vendësit mundohen të bëjnë diçka, madje kontestojnë edhe gjykimin e Hoxhës, por gjyqtarit nuk i bën “syri tërr”, as kur i nxjerr Lamçes kartonin e dytë të verdhë për simulim në zonën e tiranës, që është automatikisht i kuq dhe lë ekipin pogradecar me 10 vetë. Pas pesë minutash në të 78-ën Sentamu dyfishon golat personalë dhe shënon golin e tretë për bardheblutë, duke vulosur rezultatin e takimit. Më kot sulmet e fundit të të dyja skuadrave që duan të shënojnë edhe nga një gol tjetër. Mbyllet me fitoren e Tiranës në Pogradec, falë golave të Sentamut dhe Ngosë, por edhe debutimit të Hardi Binguilës. Bardheblutë fitojnë sërish, këtë herë me gola sulmuesish dhe ngjiten në krye të klasifikimit me gjashtë pikë, duke pritur kundërshtarin e radhës, Naftëtarin. Gjithsesi, për t’u shënuar fakti se Tirana shijon tri pikët e para në transfertë pas 19 muajsh…

Një gur gjakos Dajën

Në minutën e 67-të të takimit Asion Daja është çarë në ballë pas një goditje nga ballorja e stadiumit. Në fakt ka qenë një send i fortë, gur, që ka goditur mesfushorin, i cili është gjakosur. Madje në fytyrë është parë edhe gjaku që i rridhte. Lojtari është kuruar nga stafi mjekësor dhe më pas është rikthyer në fushë. Për t’u përmendur fakti se futbollisti kishte marrë edhe një goditje para disa minutash. Gjithsesi, futbollisti nuk ka ndonjë shqetësim të madh dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës në kampionat dhe kupë.

Pogradeci – Tirana      0-3

Shënues: Sentamu 30′, 78’, Ngo 58’

Pogradeci: Mali, Pura, Çerepi, Hysenllari, Topllari, J.Liçkollari (Çela 63′), Xh.Liçkollari, Çekiçi, Lame, Jahaj, Shyti. Në dispozicion Xhelollari, Mezini, Pere, Molla, Hidri, Laçka. Trajner: Festim Fetollari.

Tirana: Lika, Kërçiku, Turtulli, Uellison, Hoxhallari, Daja (Çelhaka 81′), Karabeci (Halili 86′), Mauexhe, Doka, Sentamu, Ngo (Binguila 74′). Në dispozicion Shehri, Bishaj, Greca. Qilimi, Trajner: Ze Maria.

Gjyqtarë: Edvin Hoxha, Paulin Simoni, Elvis Gjoka (Lezhë), Bekris Dragusha (Shkodër)

Kartonë të verdhë: Lame 26′ 73′ / Turtulli 74′, Uellison 84′

Karton i kuq: Lame 73′

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here