Tirana në sulm, ja si mund të luajë kundër Vllaznisë

0

 

Mungon Elis Bakaj, por Egbo programon një ekip sulmues. Dilemë mbetet aktivizimi i Gilbertos, Gilman Lika favorit si titullar

 

Andi TANKU

 

 

Tirana udhëton sot pasdite për në Pukë, aty ku nesër do të përballen me Vllazninë. Një transfertë kjo, e cila kërkohet të shfrytëzohet në maksimum nga kryeqytetasit, duke parë se luhet në një fushë asnjanëse. Tri pikët janë detyrim për 24 herë kampionët e vendit, që në këtë sfidë do të duhet të bëjnë edhe pa Elis Bakajn. Sulmuesi u ndëshkua me karton të verdhë në takimin e fundit të luajtur në “Qemal Stafa” kundër Flamurtarit. Një ndëshkim që ishte i treti për Bakajn, i cili plotëson kështu numrin e kartonëve të lejuar. Në këto kushte, trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo do të duhet të zëvendësojë 27-vjeçarin. Me shumë mundësi vendin e Elis Bakajt do ta marrë Gilman Lika, i cili do të aktivizohet në krahun e majtë të repartit ofensiv. Shkodrani është në avantazh për një vend titullari me brazilianin Gilberto. Nëse ky i fundit, vendoset të luajë që nga minuta e parë, atëherë, Masato Fukui do të spostohet në të majtë të sulmit. Duket se kjo është dilema e vetme e trajnerit Egbo që ka marrë tashmë besimin e klubit për të drejtuar ekipin në vijim. Në krahun e djathtë të repartit të avancuar do të jetë edhe një herë Dorian Kërçiku, që i hedhur si titullar në dy ndeshjet e fundit, ndaj Flamurtarit për kampionat dhe Kastriotit për Kupë ka zhvilluar paraqitje pozitive, duke dhënë asis dhe shënuar një gol. Në Tiranë sulmuese ajo kundër Vllaznisë, me synimin e vetëm tri pikët në një takim delikat dhe për më tepër, në domosdoshmëri për sukses, më shumë se kurrë.

MESFUSHA– Është reparti që ka pasur më shumë stabilitet deri në këto javë të para të sezonit. Treshja Karabeci-Teqja-Vucaj kanë nisur pothuajse çdo ndeshje si titullarë, duke qenë preferenca parësore edhe ish-trajnerit Shkëlqim Muça. Të tre lojtarët, edhe kundër Vllaznisë do të jenë që nga minuta e parë në fushë.

MBROJTJA– I vetmi rol i cili është ndryshuar, është ai i krahut të majtë të këtij reparti. Kjo edhe për shkak të dëmtimit të Ronald Gërçaliut në takimin kundër Skënderbeut në javën e 5-të të kampionatit. Vendin e 29-vjeçarit, si fillim e mori Erjon Hoxhallari, por në sfidën e fundit që Tirana zhvilloi kundër Flamurtarit, ky pozicion iu besua Argjend Malajt. Që pas miqësores ndaj Besëlidhjes disa ditë më parë, ku talenti kosovar realizoi dy gola në fitoren 2-1 të bardhebluve, ai tregoi rritje, aq sa ish-trajneri Muça i besoi krahun e majtë të mbrojtjes. Edhe kundër Vllaznisë, Malaj pritet të jetë në formacionin bazë të Tiranës. Pjesa tjetër e këtij reparti nuk do të ndryshojë, ku Smajli nga e djathta dhe Muça-Karan në qendër do të rreshtohen përkrah Argjend Malajt.

PORTA– Edvan Bakaj do të jetë numri 1 i portës së Tiranës. “Gardiani” nga kryeqyteti ka fituar besimin e stafit teknik të bardhebluve, ndërsa ashtu si kundër Flamurtarit, edhe në përballjen e kësaj jave të 8-të të Superligës, ai do të jetë në 11-shen bazë të 24 herë kampionëve të vendit.

 

VARIANTI 1

 

  1. BAKAJ

Smajli Muça Karan Malaj

 

Karabeci Teqja

 

Vucaj

 

Kërçiku Fukui G. Lika

 

VARIANTI 2

 

  1. BAKAJ

Smajli Muça Karan Malaj

 

Karabeci Teqja

 

Vucaj

 

Kërçiku Gilberto Fukui

 

 

 

Ndeshja e dytë në

Pukë për bardheblutë

 

Takimi kundër Vllaznisë do të luhet në Pukë, pasi shkodranët nuk e kanë ende gati stadiumin “Loro Boriçi”. Në këto kushte, shkodranët janë “shpërngulur” në impiantin sportiv të ekipit të Tërbunit. Në “Ismail Xhemali”, Tirana zhvilloi ndeshjen e parë të këtij sezoni, atë kundër pukjanëve në javën e parë të Superiores. Një takim i cili përfundoi me shifrat 2-1 për bardheblutë që përmbysën disavantazhin, duke mposhtur Tërbunin falë golave të Masato Fukuit dhe Gilman Likës. Një stadium ky që i solli fat Tiranës në premierë, ndërsa kryeqytetasit shpresojnë që edhe kundër Vllaznisë, të kenë sërish fatin me vete.

 

Pikët maksimale në

dy ndeshjet e fundit

 

Edhe dy ndeshje na ndajnë nga fundi i fazës së parë të Superiores. Për Tiranën, ajo kundër Vllaznisë ditën e diel në orën 13:00 do të pasohet me takimin kundër Kukësit, i cili do të luhet në kryeqytet. Dy ndeshje mjaft të rëndësishme për bardheblutë, të cilët kërkojnë maksimumin e pikëve në këto dy përballje të fundit, për t’i bërë një mbyllje pozitive fazës së parë të kampionatit. Kjo edhe për arsyen se Tirana ndodhet 10 pikë e shkëputur nga kryesueset, por edhe për faktin se faza e dytë nis me dy ndeshje në shtëpi. Ndaj Tërbunit dhe Laçit, dy sfida të cilat do të zhvillohen në kryeqytet, i japin mundësi bardhebluve të kenë shanse për të rikuperuar pikë në tabelën e klasifikimit.

 

Vllaznia, mundësia

që nuk duhet humbur

 

Fitorja e fundit që Vllaznia arriti pikërisht në Pukë një javë më parë, kundër Tërbunit pritës, duket se ka rritur optimizmin në kampin kuqeblu. Megjithatë, shkodranët janë duke kaluar një situatë të vështirë në këtë sezon, duke qenë një nga ekipet që diskutohen për të mbijetuar ose jo në Superiore. Kjo gjendje e Vllaznisë mund të jetë një pikë e fortë për Tiranën për të marrë maksimumin e pikëve në takimin e së dielës. Vetëm në këtë mënyrë, bardheblutë do të kenë shansin të rikuperojnë pikët e lëna në këto 7 javë të para të kampionatit. Për më tepër, Vllaznia është një mundësi që nuk duhet humbur nga ana e Tiranës, pasi po në të njëjtën ditë, Partizani dhe Skënderbeu do të luajnë së bashku, çka bën që një prej kryesueseve të Superiores, ose të dyja në rast barazimi, të ndalen. Tri pikët ndaj shkodranëve, do të ishin tepër të vyera për Tiranën në këtë moment, edhe në aspektin psikologjik.

 

Sot stërvitje paradite,

më pas nisja drejt Pukës

 

Tirana ka vijuar dje me përgatitjet për ndeshjen e së dielës. Lojtarët në urdhrat e dyshes Egbo-Gvozdenoviç kanë dalë në stërvitje në orën 14:00. Trajneri i bardhebluve nuk ka preferuar të provojë formacionin me të cilin do të tentojë tri pikët ndaj Vllaznisë. Megjithatë, dilemat për këtë gjë janë të vogla, pasi në balotazh për një vend titullari ndodhen vetëm Gilman Lika me Gilberto Fortunat. Ditën e sotme, seanca stërvitore do të zhvillohet në orët e paradites, për t’i dhënë mundësi ekipit që të niset në mesditë drejt qytetit të Pukës, aty ku nesër, Tirana do të luajë ndaj Vllaznisë.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.