Tirana në “kafazin” e Teutës

0

Bardheblutë ndalen në barazim pa gola në shtëpi nga “djemtë e detit”. Një pikë që kënaq durrsakët, ndërsa diferenca mbetet sërish 1 pikë

Andi TANKU

Tirana-Teuta 0-0

Tirana: Ed.Bakaj, Smajli, Teqja, Karan, Hoxhallari, Kërçiku (Papa 85’), Malaj, Karabeci, Lika, Muzaka (Halili 77’), Fukui (Peçi 66’)

Trajner: Ilir Daja

Teuta: Moçka, Lukiç, R.Hoxha, Lena, Shkalla, Kotobelli, A.Magani (Xhonatan 59’), Lamçja, Dita, Musta (Hodo 83’), Kadriu (Hila 46’) Trajner: Gugash Magani

Kartonë të verdhë: Kotobelli, Hila, Shkalla

Delegat: Besnik Çela (Tiranë)

Gjyqtarë: R.Sadiku, R.Çokaj, R.Avdo,

E.Hamiti, D.Jubica (pas portave)

EPISODET

1’-Goditje nga këndi për Teutën. Ekzekuton Lukiç që pason te Lena i cili gjuan me të djathtën, por topi shkon pak cm mbi traversë.

4’- Lukiç provon drejtpërsëdrejti nga këndorja, grushton Bakaj.

21’- Goditje dënimi për Tiranën. Lika gjuan në trekëndësh, pret Moçka.

39’- Kërçiku pason për Malajn që fton Likën në hyrje të zonës, provon shkodrani me të majtën, por Rustem Hoxha devijon në këndore.

40’- Muzaka ekzekuton një goditje këndi, topi mbetet në rrëmujë, Fukui nuk arrin ta devijojë dot në portë, e më pas Dita e çon sërish në këndore.

44’-Malaj fton Muzakën me një vertikalizim, por Moçka është i shpejtë në dalje dhe kontrollon topin me të dyja duart.

51’- Hoxhallari kroson ulët nga e majta, topi kalon gjithë pasqyrën e portës së Moçkës, ndërsa Kotobelli ia largon topin nga këmbët Muzakës vetëm pak centimetra larg portës.

52’- Malaj kroson bukur për Muzakën që gjuan me kokë, Moçka reagon me njërën dorë duke bërë një pritje shpëtimtare, ndërsa ndërhyn edhe në momentin e dytë duke larguar me këmbë topin e goditur nga Fukui

62’-Kotobelli kroson në zonë për Xhonatan që mund ta shtyjë lehtë “sferën” në rrjetë, por në momentin e fundit është Hoxhallari që ndërhyn në kohë dhe ia heq mundësinë për të shënuar sulmuesi të Teutës.

87’- Papa kroson saktë për Halilin që gjuan me kokë, por mbi traversë.

88’-Bakaj dhe Karan nuk kuptohen mes tyre në zonë, duke i hapur rrugën pa dashje Ditës që të gjuajë me portën bosh, por jashtë, pak centimetra lart shtyllës së djathtë pingule.

 

Nuk ka fitues në takimin mes Tiranës dhe Teutës. Sfida e zhvilluar mes dy rivaleve për Kupat e Europës dje në “Selman Stërmasi” mbyllet pa gola. Një barazim që lë sërish 1 pikë larg bardheblutë e vendit të tretë, nga “djemtë e detit”. Një lojë e kujdesshme nga të dyja kampet, ndërsa nga ajo që kuptohet në fushë është fakti se askush nuk kërkon të rrezikojë gjithçka për gjithçka. Kjo pasi një humbje do të ishte penalizuese si për Tiranën, ashtu edhe për Teutën në luftën për Europë.

PJESA E PARË– Sinjali i parë i rrezikshëm vjen nga Teuta që në minutën e parë, përmes një goditje nga këndi dhe është Lena që për pak sa nuk befason vendasit, por topi shkon pak centimetra mbi traversë. Në vijim është Tirana që kontrollon topin, ndërsa durrsakët nuk lënë hapësira dhe nuk bëjnë gabime në prapavijë. Në minutën e 21-të, Lika “bezdis” Moçkën me një të majtë drejtpërdrejtë nga një goditje dënimi, por pa rrezik. Është sërish shkodrani në të 39-ën, që pasi merr një asis nga Malaj gjuan në hyrje të zonës, por këtë herë është Hoxha që devijon në këndore. Shkëndija e radhës nga Tirana vjen 60 sekonda më pas, përmes një goditje këndi, ka rrëmujë në zonë e më pas Dita e çon sërish andej nga erdhi. Pa shumë histori mbyllet pjesa e parë, me një Teutë të vendosur mirë në fushë dhe me një Tiranë disi më kërkuese.

PJESA E DYTË– Bardheblutë duken më të karikuar dhe fillimi i këtij fraksioni të dytë të lojës i gjen më të rrezikshëm. Në minutën e 51-të, Kotobelli i heq Muzakës nga këmbët një mundësi të artë, duke i ndërhyrë në momentin e fundit pas një topi të hedhur në zonë nga Hoxhallari. Tirana insiston, por Teuta i falet edhe formës së mirë të Moçkës, i cili në minutën e 52-të shpëton portën e tij. Malaj kroson bukur në zonë, Muzaka zgajtet me kokë, ndërsa portieri i durrsakëve largon me njërën dorë në vijë fatale. Të dy trajnerët bëjnë lëvizjet e tyre duke hedhur lojtarë më të freskët nga stoli. Është pikërisht Xhonatan, sulmuesi i Teutës që disa minuta pasi prek fushën ka mundësi të shënojë pas krosimit të saktë të Kotobellit, por në momentin final ndërhyn Hoxhallari dhe largon në këndore. Minutat kalojnë dhe tensioni te vendasit rritet. Në të 87-ën është Halili që gjuan me kokë pas krosimit të Papës, por mbi tra. Sfida mbyllet me një rast të miqve. Në minutën e 88-të është Dita që përfiton në zonë nga një mosmarrëveshje mes Karan dhe portierit Bakaj, por gjuajtja e mesfushorit të Teutës shkon pak centimetra larg shtyllës. Si përfundim, gjithçka mbyllet në barazim pa gola, ndërsa pozicionet e Tiranës dhe Teutës në klasifikim mbeten të njëjtat, ashtu si dhe diferenca e tyre me pikë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image