Tirana mendon për portier, sytë në Shkodër

Bardheblutë prej kohësh po testojnë tregun e “gardianëve” në Superiore dhe “syri u ka mbetur” te portieri i shkodranëve        

Olsi Avdiaj

Tirana nis merkaton! Qëllimet e saj për ngjiten në Superiore janë të mëdha, por emri i parë që ka dalë nga klubi bardheblu i përket një “gardiani”. Po është mëse e vërtetë. Me ngjitjen mes më të mirëve, Tirana po sheh mundësinë për të forcuar ekipin dhe gjithçka e ka nisur me lojtarë nga Superiorja. Për momentin, bardheblutë po shohin në treg për portier. Kanë testuar dhe vëzhguar disa nga “gardianët” e Kategorisë së Parë dhe Superiore dhe sytë kanë mbetur te Alen Sherri. Një lojtar shumë i fortë dhe me të ardhme të madhe. Aktualisht ka luajtur 1890 minuta në Kategorinë Superiore gjatë 21 ndeshjeve me Vllazninë. Është aktivizuar edhe dy takime me Vllazninë B. Ekspertit të portierëve te Tirana, Egbosë, i ka pëlqyer ky gardian kur bardheblutë luajtën kundër Vllaznisë dhe klubi kryeqytetas pritet të nisë ofensivën për këtë futbollist, që ta bëjë shumë shpejt të vetin. Ndoshta, Sherri mendohet të luajë me Tiranën vetëm për sezonin 2019-2020, vit kur ai konsiderohet si lojtar i lirë, por mund të ketë lëvizje edhe këtë sezon.   

Portieri – Alen Sherri, është një emër për të cilin flitet prej kohësh. Të gjithë ata që e kanë parë të stërvitet dhe të luajë, thonë se është talent i madh. Portier, 20 vjeç, thuajse 2 metra i gjatë, prej 5 vitesh pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë, që në sezonin 2014/2015 dhe 2015/2016 ka luajtur edhe 10 ndeshje si titullar në Superiore, tani është i padiskutueshëm në portën e Vllaznisë. E kërkuan klube të huaj, u provua edhe te Roma, i vëzhguar dhe i pëlqyer nga një mjeshtër si Valter Sabatini, por nuk u bë asgjë, për çështje dokumentacioni dhe financiare. Madje u fol edhe për një kalim në Itali, te Savona, por nuk qe e thënë. Normalisht, një klub tjetër do ta kuptonte që ka në dorë një “xhevahir” të vogël, që duhet rritur dhe reklamuar sa më shumë të jetë e mundur.

Tani Sherri është titullar i padiskutueshëm, ka luajtur të gjitha ndeshjet dhe prej kohësh ka rënë nën sytë e bardhebluve, që e kanë piketuar si pasardhësin e Ilion Likës te skuadra bardheblu. Është pjesë e kombëtares Shpresa dhe me një të ardhme të madhe përpara. Sherri në këtë moment po luan, kontrata i përfundon në 2019-ën dhe ndoshta deri atëherë Tirana do të detyrohet të presë, para se të largohet falas, ndërsa Vllaznia do të shpresojë që të kapë ndonjë euro nga taksa e formimit, nëse Sherri ikën jashtë Shqipërisë. Përndryshe… Tirana e merr shumë thjesht dhe me pak lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *