Tirana mendon për Grecën e Flamurtarit

0

Bedri Greca mund të veshë fanellën e Tiranës sezonin e ardhshëm. Mesfushori i Flamurtarit duket se do të jetë një nga përforcimet e bardhebluve për vitin e ardhshëm. Burime pranë gazetës “Sport Ekspres” bëjnë me dije se bisedimet mes palëve mund të nisin në ditët në vijim, ndërsa pëlqimi për një bashkëpunim të mundshëm ekziston si nga ana e futbollistit kryeqytetas, ashtu edhe nga ana e klubit më të titulluar në vend. Kontrata e Grecës me Flamurtarin skadon në fund të muajit maj dhe 25-vjeçari do të jetë i lirë për të zgjedhur destinacionin e radhës. Nga sa mësohet, mesfushori tiranas nuk do të rinovojë me Flamurtarin, ndërsa ajo që do të përfitojë nga shërbimet e tij është pikërisht skuadra kryeqytetase. Greca zhvilloi një sezon pozitiv me vlonjatët, duke qenë titullar në ekipin bregdetar. Por dëmtimi që pësoi në fillim të vitit 2016-të bëri që ai të humbte pjesën e mbetur të kampionatit. Që prej 21 shkurtit, mesfushori 25-vjeçar nuk është aktivizuar me Flamurtarin, ndërsa ndeshja e tij e fundit në kampionat ka qenë pikërisht ajo kundër Vllaznisë. Që prej asaj periudhe, Greca ka vijuar të ndjekë të gjitha etapat e rikuperimit dhe tashmë e ka kaluar plotësisht dëmtimin e tij. Mesfushori shënoi 4 gola me fanellën e Flamurtarit, ndërsa paraqitjet e tij ishin pozitive duke qenë një nga më aktivët në radhët e skuadrës bregdetare.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here