Tirana me lakun në fyt, rinis bisedimet me Muzakën

Bardheblutë nuk paguajnë në kohë dhe do të ndëshkohen me 3 pikë, por që nuk kanë ndonjë vlerë. Megjithatë, tani duhet të gjejnë marrëveshjen me Muzakën

Pikërisht kur dukej se po përgatitej me kujdes sezoni i ardhshëm në Superiore dhe mendja ishte te konfirmimi i Ze Marisë, apo zëvendësimi i tij, Tirana ka për të zgjidhur një hall të madh, borxhin gjigant ndaj Gjergji Muzakës. Në fakt, nuk është se për klubin është ndonjë surprizë, por për ca kohë duket se u harrua gjithçka. Megjithatë, borxhi prej 107 milionë lekësh ndaj Muzakës ka mbetur si shpata e Damokleut mbi klubin bardheblu, sidomos kur muajin e shkuar doli vendimi i Komisionit të Disiplinës për të ekzekutuar vendimin e DHZK-së brenda pak javësh.

PAGESA NUK U BË – Afati i vendosur nga Disiplina u dogj, me vetëdije, nga Tirana, që e thënë troc, nuk ka para. Do të hiqen 3 pikë, por ato nuk janë problem, sepse këtë sezon Tirana ka krijuar një hendek të madh me ndjekësit. Ndërkaq, problemi është se Tirana ka vetëm dy javë kohë për të shlyer Muzakën, para se të nisin penalizimet për sezonin e ardhshëm.

TENTOHET MARRËVESHJA – Për të evituar përjashtimin nga Kategoria Superiore, pasi nuk do të përmbushej një nga kriteret e licencimit, Tirana duhet të paguajë Muzakën me çdo kusht. Paratë e tij mund të mbuloheshin nga pjesëmarrja e vjetshme në Europa League, por ai fond u dogj kur UEFA zbuloi borxhet gjigante të klubit bardheblu. FSHF mund të mbajë ndonjë fond që i përket Tiranës për sezonin e ardhshëm, si e drejta televizive, por nuk mjafton. Për këtë arsye, Tirana ka rinisur bisedimet me Muzakën dhe shpreson që të gjejë një marrëveshje për pagesë me këste, për të evituar kaosin. Tani e ka në dorë mesfushori i Skënderbeut…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *