Tirana “mbyt” Bylisin, Ilir Daja vendos rekord

0

Reshjet e shiut rrezikojnë zhvillimin e takimit. Vendosin golat e Muzakës dhe Peçit në pjesën e dytë. Bardhelutë marrin fitoren e 4-t radhazi në kampionat për këtë sezon, të parën në “Selman Stërmasin” e rikonstruktuar. 

Andi TANKU

   

Tirana – Bylis 2-0

Shënues: Muzaka 73’ (11-m), Peçi 89’

Tirana: Ed.Bakaj, Smajli, Teqja, Gërçaliu, Hoxhallari, Muzaka, Karabeci, Malaj (Papa 69’), Lika (Peçi 71’), Fukui, Hugo (Halili 80’) Trajner: Ilir Daja

Bylis: Frashëri, Dukiç, Brahja, Simiç, Peposhi, Hyshmeri (Pepa 58’), Gava, Alla, Mbella (Izuçuku 69’), Edmilson (Varea 77’), Hoxhaj

Trajner: Adnand Zilxhoviç

Gjyqtarë: A. Koçi, F. Lamaj, E. Velo (Durrës)

Kartonë të verdhë: Papa 69’, Smajli 88’ / Gava 11’, Hoxhaj 60’

GOLAT

73’- Fukui shërben nga e majta në zonë me një krosim në gjysmëlartësi, Edmilson e prek me dorë dhe ka 11-metërsh. Muzaka tregohet i saktë nga pika e bardhë duke kaluar Tiranën në avantazh. 1-0.

89’-Papa shërben për Muzakën në krahun e djathtë, i cili kroson në zonë për Peçin, që i gjendur para portës, me qetësi mposht Frashërin. 2-0.

EPISODET

16’-Hoxhaj avancon në zonë dhe vihet përballë Edvan Bakajt, ndërsa ndërhyrja e Hoxhallarit që rreshket është shpëtimtare, duke larguar topin në goditje nga këndi.

22’-Lika gjuan nga distanca duke kalibruar të majtën, devijon Frashëri, ndërsa topi shkon në shtyllë e më pas largohet në anësore nga mbrojtja mike.

31’-Dukiç ekzekuton një goditje dënimi për Bylisin, Alla me kokë, ngjitur me shtyllën.

33’-Edmilson provon nga 20 metra largësi, topi përfundon ngjitur me traversën.

51’-Malaj shërben për Fukuin që fton Hugon, ndërsa braziliani përballë portierit vonohet në gjuajtje duke bërë që t’i merret topi nga mbrojtësit kundërshtarë.

58’-Hugo fton Fukuin me kokë në zonë, ndërsa sulmuesi japonez i Tiranës provon me një gjuajtje akrobatike me të majtën, por është i pafat, pasi topi shkon ngjitur me shtyllën.

76’- Kundërsulm i Tiranës, Muzaka pason te Peçi që kontrollon topin, por në momentin që kërkon të shmangë Allën në zonë, i merret topi nga mbrojtësi i Bylisit.

83’-Hoxhaj tenton brenda zonës me një diagonale të fuqishme, mbi traun e portës, rrezikshëm.

 

Tirana mposht Bylisin dhe afrohet me 7 pikë nga vendi i dytë që mbahet nga Partizani. Bardheblutë fitojnë 2-0 edhe pse me vështirësi ndaj Bylisit, duke marrë tri pikët e para në “Selman Stërmasi”, që pas rikonstruksionit të tij. Takimi u zhvillua në kushte të vështira për shkak të reshjeve të shiut që rënduan terrenin, ndërsa shpresat e ballshiotëve për të marrë një pikë në kryeqytet “i mbytin” golat e Gjergji Muzakës me 11-metërsh dhe të riut Majkëll Peçi, që bëri dje një debutim ëndrrash në kampionat, me 24 herë kampionët e vendit.

PJESA E PARË– Tirana vuan 7 mungesa në total, ndërsa Bylisi kërkon të shfrytëzojë çdo mundësi për të marrë një pikë në kryeqytet. Terreni nuk favorizon asnjë ekip, ndërsa ballshiotët tregohen të rrezikshëm që në fillim me Hoxhajn, por Hoxhallari bën një ndërhyrje shpëtimtare. Shtylla i mohon golin Gilman Likës, në minutën e 22-të, ndërsa më parë gjuajtja e tij ishte devijuar nga Frashëri. Takimi është i luftuar, ndërsa edhe Bylisi luan mirë, gati si i barabartë me Tiranën. Dyluftimet janë të bukura në mesfushë, ndërsa terreni i rrëshqitshëm i bën ato shpesh edhe spektakolare, por edhe të rrezikshme. Pjesa e parë mbyllet me dy mundësi të krijuara nga miqtë, por Alla me kokë dhe Edmilson nga jashtë zonës me të djathtën “qethin” shtyllën e traversën e portës së Edvan Bakajt.

PJESA E DYTË– Nuk ka ndërrime në të dyja kampet. Tirana hyn në fushë më me këmbëngulje, ndërsa rasti i parë është për Hugon, por braziliani vonohet në gjuajtje përballë portierit në minutën e 51-të. Shtatë minuta më pas, është pikërisht sulmuesi brazilian që shërben Fukuin, por gjuajtja e tij fluturimthi shkon ngjitur me shtyllën. Daja freskon ekipin, duke hedhur në fushë Enriko Papën në të 69-ën minutë, ndërsa mesfushori 22-vjeçar debuton me bardheblutë pas afrimit të tij në merkaton e janarit. Tempi i lojës rritet, presioni i Tiranës po ashtu, çka sjell edhe golin e parë për vendasit, ndërsa Edmilson prek topin me dorë në zonë. Gjyqtari kryesor akordon 11-metërsh në të 73-ën, ndërsa Muzaka është i saktë, duke çliruar kampin bardheblu. 1-0 dhe kryeqytetasit. Daja kërkon ta mbyllë këtë sfidë, ndërsa aktivizon dy të rinj dhe me prespektivë. Halili dhe Peçi i japin shpejtësi lojës, ndërsa zëvendësimet e Bylisit nuk shtojnë tempin e lojës ballshiote. Në të 89-ën vjen edhe goli i sigurisë për Tiranën. Një gol që do të shënohej nga 19-vjeçari Peçi, i cili e feston duke përqafuar trajnerin Daja. Papa shërben për Muzakën në krahun e djathtë, i cili kroson në zonë për Peçin, që i gjendur para portës, me qetësi mposht Frashërin. 2-0 dhe ndeshja nuk ka më histori. Tirana merr fitoren e 4-t radhazi në kampionat për këtë sezon. Një rekord për ecurinë e ekipit të Dajës për këtë edicion futbollistik.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.