“Tirana ka humbur identitetin, fanella nuk u shkon shumë lojtarëve”

Tirana vjet për herë të parë mori pjesë në Kategorinë e Parë, çka kupton edhe problematikat që po kalon klubi bardheblu. Një analizë të kësaj situate dhe të rëndësisë së një Tirane të fortë ia ka bërë edhe Rudi Vata, ish-mesfushori shkodran që e ka veshur fanellën bardheblu.

“Dihet që Tirana për atë që ka dhënë është emblema e kampionatit shqiptar. Një Tiranë e dobët bën që një kampionat të jetë i dobët. Me një Tiranë të fortë sigurisht që kampionati ka gjithmonë cilësi më të mirë. Por ajo që unë shikoj është se në kampionatin shqiptar, të paktën në këto 10-15 vitet e fundit, kanë ndodhur gjëra të jashtëzakonshme me skuadrat elitare, pra me skuadrat e traditës. Kur mendon që kampionatit shqiptar çdo sezon i është larguar një, ka ikur Dinamo, pastaj është larguar Partizani, pastaj ka ra nga kategoria Flamurtari, Tirana, Vllaznia, sigurisht që ky kampionat nuk e ka edhe atë vlerën, atë eksitimin e dikurshëm”, ka deklaruar Vata në emisionin “Rubrika Sportive”RTSH.

Vata ka theksuar se Tirana ka humbur shumë nga identiteti i saj, ndërkohë që shprehet se disa prej lojtarëve nuk janë për këtë klub. “Me ndërrimin e trajnerëve gjithmonë kuptohet se punët nuk janë në rregull. Më duket një skuadër sikur i ka humbur karakteri, i ka humb vlera e asaj Tiranës së madhe, nuk respektohet sikur respektohej dikur. Është bërë një skuadër që mund të thyhet nga çdo kundërshtar. Sigurisht që përgjegjësia kryesore është e trajnerëve, sepse ata janë ata që marrin përsipër fatin e një skuadre dhe ndërtojnë skuadrën me futbollistët që kanë në dispozicion ose dëshirojnë të kenë në dispozicion”, shtoi shkodrani.

“Është një Tiranë që normalisht nuk shikoj se po bën atë që duhet në fushën e lojës. Nuk ka ata futbollistë me grintë, nuk ka ata futbollistët tipik të karakterit tiranas. I mungon karakteristika e saj kryesore, një Tiranë me futbollistë të shkollës së Tiranës dhe një Tiranë me atë grintën që është veçuar prej skuadrave të tjera, që ka krijuar atë fizionominë si skuadër e si klub. Kanë qenë shumë të lidhur, gjithmonë Tirana ka punuar mirë në grup. E shikoj tani një Tiranë që i ka humbur disi identiteti, i ka humbur ai shkëlqimi i dikurshëm dhe fanella nuk u shkon dhe nuk u rrinë për shtat shumë prej këtyre futbollistëve”, përfundoi Vata analizën e tij gjatë emisionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *