Tirana “izolohet” para Luftëtarit

0

Olsi Avdiaj

Mirel Josa izolon Tiranën para ndeshjes me Luftëtarin. Bardheblutë vendosin që të grumbullohen një ditë para nisjes në Gjirokastër. Ishte trajneri Mirel Josa, që mori dje një vendim përfundimtar, duke izoluar ekipin. Madje duke i toleruar pak lojtarët që të vinin në grumbullim rreth orës 13:30. Vendimi është marrë nga drejtuesi i ekipit, që skuadra të jetë e përqendruar për sfidën e ditës së diel me Luftëtarin, takim shumë deciziv për bardheblutë. Vendimi për t’u grumbulluar është zyrtarizuar edhe nga klubi. “Bardheblutë kanë mbyllur një tjetër ditë përgatitore për Luftëtarin. Pas seancës stërvitore në “Skënder Halili”, skuadra do të grumbullohet pasdite për të analizuar me pamje filmike 90 minutat e barazuara me Skënderbeun, analizë e cila vlen për takimin e të dielës, për çfarë duhet përmirësuar në fushë. Sot skuadra do të mbyllë përgatitjet dhe do të udhëtojë drejt Gjirokastrës për të pushuar një natë para ndeshjes”, thuhet në njoftimin e klubit. Josa u ka kërkuar bashkëpunëtorëve të tij që të mbledhin të gjithë ndeshjet e Luftëtarit dhe do të analizojë çdo takim si të kundërshtarit dhe të skuadrës së tij.

Stërvitja – Stërvitja e djeshme ka vazhduar e ndarë në dy pjesë. Njëra fizike dhe tjetra taktike. Në fazën taktike, Mirel Josa ka punuar me skuadrën për kundërsulmin dhe fazën para portës, sesi lojtarët të shkojnë tek goli. Trajneri ka kërkuar që futbollistët të jenë më këmbëngulës së aksionet e tyre. Gjatë stërvitjes, trajneri nuk ka falur asnjë gabim dhe si zakonisht, me të “ulërima” iu është drejtuar atyre që gabonin. Gjithçka për perfeksionin, pasi ndeshja me Luftëtarin shihet si një nga sfidat më të rëndësishme të bardhebluve këtë fazë transitore kampionati. Bardheblutë e Josës, veç dy ndeshjeve të Kupës që nuk dihet se me kë do të përballen, do t’u duhet të luajnë katër sfida delikate që nisin të dielën me Luftëtarin. Pas pauzës së kombëtares, bardheblutë luajnë kundër Vllaznisë, Teutës dhe Laçit. Të trija skuadra që janë poshtë Tiranës. Nëse do t’ia dalin të marrin 12 pikë ose të paktën të mos munden jashtë Tiranës dhe të fitojnë tre takimet radhazi në shtëpi, atëherë sezoni i bardhebluve është i shpëtuar. Pak a shumë Tirana siguron vendin e katërt në Superiore, që me të gjitha gjasat do të thotë Europë. Gjithsesi, pengesa e parë është Luftëtari. Për Josën, kjo ndeshje nuk duhet humbur në asnjë mënyrë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image