Tirana “gradon” talentet, firmosin edhe dy

Tirana po punon me intensitet për edicionin e ri. Synimet e drejtuesve për sezonin që po vjen janë madhore, pasi kërkohen vendet e para në klasifikim. Tekniku Ze Maria po ndërton me kujdes skuadrën që do të ketë në dispozicion, megjithatë braziliani ka spikatur për faktin që u beson të rinjve. Deri më tani kryeqytetasit kanë afruar  Dejan Blazhevskin, Enimi Imamin dhe Vincent Atingan, por në ditët e ardhshme priten të tjera afrime, megjithatë tani vëmendja është nga lojtarët me perspektivë.

AKADEMIA

Pak ditë më parë firmosi Ernest Muçi, ndërsa sot kanë firmosur dhe dy futbollistë të tjerë që ka bërë mirë në skuadrat e moshave. Jurgen Çelhaka dhe Marsel Ismailgeci kanë nënshkruar kontrata profesionale, që i mbajnë të lidhur me bardheblutë e Shqipërisë për 3 vitet e ardhshme. Vetë klubi i Tiranës ka bërë me dije lidhjen e kontratës me lojtarët në fjalë.

ÇLEHAKA

Me skuadrën e parë Çelhaka ka luajtur vetëm 2 ndeshje, teksa në muajin prill ka qenë titullar në ndeshjen me Apoloninë. 18-vjeçari aktivizohet si mesfushor dhe është në planet e stafit teknik për edicionin e ardhshëm: “ Mesfushori Jurgen Çelhaka 18-vjeçar ka firmosur sot kontratën e parë profesioniste në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”. Në 3 vitet e ardhshme Jurgen Çelhaka do të jetë pjesë e rëndësishme e projektit bardheblu. Futbollisti i talentuar vjen nga Akademia e Tiranes dhe do të jetë pjesë e skuadrës Superiore”, përfundon postimi i Tiranës.

ISMAILGECI

Po ashtu pak minuta pas prezantimit të Çelhakës skuadra e Tiranës ka prezantuar dhe një tjetër lojtar që vjen nga skuadrat zinxhir. Edhe Marsel Ismailgeci  do të jetë nën urdhrat e Ze Marias për edicionin që po afron dhe nga drejtuesit duket se ka një vlerësim të madh për mbrojtësin në fjalë: “18-vjeçari ka firmosur sot kontratën e parë profesioniste pranë ambienteve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Kjo kontratë e bën Marsel Ismailgecin bardheblu për 3 vitet e ardhshme. Lojtari i talentuar luan në pozicionin e mbrojtësit të majtë dhe është një investim i vlefshëm për të ardhmen e Tiranës. Futbollisti i talentuar vjen nga Akademia e Tiranës dhe do të jetë pjesë e skuadrës Superiore”, përfundon dhe postimi i Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *