Tirana gëzon tifozët bardheblu, mund të sjellë Juventusin në Shqipëri për të festuar 1 shekull histori

Ky është një vit i shenjuar për klubin e Tiranës, teksa festojnë 100-vjetorin e krijimit të tyre. Dhurata më e bukur për ta padyshim që do të ishte titulli i 25-të në Superiore dhe rrugën drejt tij e kishin marrë seriozisht, duke bërë një sezon fantastik nën drejtimin e Egbosë. Megjithatë pandemia Covid-19 bëri atë që skuadrat e tjera nuk po arrinin dot, të ndalte hapin e bardhebluve, teksa kampionati është pezulluar përkohësisht.

Por duket se një surprizë tjetër mjaf e bukur është planifikuar për tifozët e Tiranës, pasi klubi është në bisedime për të sjellë në kryeqytetin shqiptar një nga ekipet më me histori në Itali dhe në mbarë Europën. Bëhet fjalë për Juventusin, yjet e të cilit mund të zbresin në Tiranë për të luajtur një ndeshje miqësore me rastin e kësaj feste të veçantë për bardheblutë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe zyrtari i klubit të Tiranës, Mario Nikolli. Në një prononcim për emisionin “Gol pas goli” në “Supersport”, Nikolli është shprehur:

“Me Juventusin ka pasur kontakte, por nuk mund të them asgjë më shumë për momentin. Është disi situatë e vështirë, pas ndeshjet e kampionatit janë shtyrë të gjitha për në verë, por të shohim si do shkojnë punët”./Sport Ekspres/