“Tirana e ka titull të vonuar”, flet Domgjoni nga Turqia: Është ekip model, e meriton për 100 vjetorin

David Domgjoni është transferuar në merkaton e fundit drejt Turqisë, atje ku iu bashkua Menemesporit. Më herët ky mbrojtës ishte pjesë e Laçit, por për shumë kohë ka luajtur edhe me Tiranën.

Mes shumë komplimentave dhe vlerësime për bardheblutë te “Fan Zone” në Supersport, Domgjoni ka treguar edhe pak nga mënyra e përjetimit të kësaj pandemie, megjithëse në Turqi nuk është e njëjta situatë si në Shqipëri, pasi masat e marra kanë nisur vetëm në këto ditë të fundit.

“Nuk di të them saktësisht sesa na mungon kjo pjesa e futbollit, pasi para 4 ditësh kemi qënë me ekipin. Por sigurisht që ne e kemi gjithçka këtë sport, pjesë të jetës dhe nuk mund ta imagjinojmë dot jetën pa të. Tani do të bëhet edhe një grumbullim mes klubeve, por nuk e di saktësisht se për çfarë do të flitet, nëse bëhet fjalë edhe për pagesën që do të marrim këto kohë.

Këtu tani jam edhe me nusen time, klubi duhet falenderuar sepse na ka krijuar të gjitha kushtet. Një mesazh për të gjithë shqiptarët, që shpresoj se kjo gjendje do të kalojë sa më shpejt, për t’u kthyer në normalitet. Trajneri këtu te Menemespori do të më provonte si mbrojtës krahu tani, por është pozicioni im, po aq sa edhe që të rrijë në qendër.

Tirana? Për mua është titull i vonuar dhe i munguar. Më vjen mirë që po ringrihet, se është një ekip model dhe të vazhdojë të eci kështu. E meriton titullin për 100-vjetorin”, ka thënë Domgjoni. /Sport Ekspres/