Tirana do të luajë pa tifozë edhe ndaj Vllaznisë, ndeshja ndaj Shënkollit nuk llogaritet

Klubi i Tiranës do të vazhdojë të vuajë dënimin për të zhviluar ndeshje me dyer të mbyllura edhe në ndeshjen e radhës kundër Vllaznisë. Lajmi bëhet i ditur nga vetë bardheblutë, që me një njoftim për mediat tregojnë se tifozët nuk mund të jenë të pranishëm në shkallët e “Selman Stërmasit” ditën e premte. Komisioni i Disiplinës e dënoi klubin e Tiranës me katër ndeshje pa praninë e tifozëve si pasojë e incidenteve të ndodhura në ndeshjen e derbit me Partizanit, por ky dënim do të marrë fund pas ndeshjes me shkodranët.

Disiplina la në fuqi vendimin për shlyerjen e gjysmës së dënimit nga ana e bardhebluve, pra vetëm 2 ndeshje pa tifozë në  takimet e zhvilluara në shtëpi. Kryeqytetasit kanë luajtur pa tifozë kundër Laçit në kampionat, si edhe ndaj Shënkollit në Kupë, megjithëse ky i fundit nuk është llogaritur./Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë i klubit të Tiranës

Ndeshja Tirana – Vllaznia do të luhet ditën e Premte në stadiumin “Selman Stermasi”, në orën 18:00.

Ky takim do të zhvillohet me dyer të mbyllura për tifozët, shkak i incidenteve të ndodhura në ndeshjen me Partizanin dhe dënimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës. Kjo do të jetë ndeshja e fundit pa praninë e tifozëve, duke shpresuar dhe besuar që nuk do të ketë më të tjera sjellje jo sportive që dënojnë dhe mbyllin dyert për të gjithë tifozerinë bardheblu.