Tirana do një mbrojtës të Kombëtares? Ajeti është iluzion, emrin e gjeni…në Kinë!

“Tirana është në negociata me një mbrojtës të Kombëtares”, ishte pikërisht kjo deklarata e thënë nga gazetari Ylli Aga, që mori shumë jehonë së fundmi. Sigurisht që misteri dhe kurioziteti mbetet i madh, pasi nuk u përmend asnjë e dhënë tjetër rreth emrit të lojtarit.

Njerëzit e kanë gjithmonë më të lehtë të bëjnë lidhjen me një kujtesë afatshkurtër. Pra, mbrojtësi më i përmendur aktualisht si i papunë është Arlind Ajeti. Por a mund të vinte ky i fundit te Tirana? Këtu ka dyshime të mëdha, për më tepër që ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe pa kontratë dhe nuk është e nevojshme të pritet kaq gjatë.

Nëse bardheblutë shkojnë me një ofertë tunduese, atëherë Ajeti do të ishte gati. Megjithatë pretendimet e mbrojtësit shqiptar janë për më lartë, pasi vetëm para pak sezonesh ishte në Seria A dhe kthimi në Shqipëri, por këtë herë me Superioren dhe jo Kombëtaren, duket shumë i largët.

Por atëherë kush është emri i saktë? Ndoshta në Kinë na vjen një përgjigje, Albi Alla. Në këto çështje jemi mësuar tashmë që mjafton 1 ndeshje me Kombëtaren, për të marrë emërtimin si mbrojtësi i Kombëtares. Alla e plotëson këtë kusht, por mbi të gjitha, i mbaron kontrata në janar. Mbrojtësi 26-vjeçar e përfundon kontratën në Kinë dhe do të jetë i lirë. Ky është opsioni më i saktë dhe më me shumë gjasa, por që mbahet sekret nga bardheblutë. Për më tepër nisur edhe nga merkato e verës, e kemi mësuar një gjë: “Kur Tirana futet në merkato, lojtari duhet të ketë patjetër një lidhje me Kukësin dhe e anasjellta”. /Sport Ekspres/