Tirana “blindon” portën me kosovarin Ilir Avdyli

0

Andi TANKU

Portieri 25-vjeçar që është aktivizuar edhe me Kombëtaren e Kosovës mund të jetë përforcimi i ri i bardhebluve.

 

Tirana bën një tjetër “goditje” në merkato. Pas dy brazilianëve, bardheblutë sigurojnë edhe portën. Ditën e djeshme, drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë zhvilluar tratativa me portierin kosovar Ilir Avdyli. Burime pranë “Sport Ekspres” konfirmojë faktin se “gardiani” 25-vjeçar ka marrë fillimisht pëlqimin e stafit teknik, përmes pamjeve filmike nga ndeshjet që ai ka zhvilluar së fundmi. Avdyli do të startojë që sot përgatitjet me Tiranën dhe nga klubi bardheblu, mësohet se ai do të vëzhgohet nga stafi teknik.

Me shumë mundësi pritet që portieri kosovar të jetë një tjetër firmë për bardheblutë në këtë merkato janari. Bisedimet i kanë çuar palët drejt akordit paraprak, ndërsa Ilir Avdyli ka vizituar dje edhe stadiumin “Selman Stërmasi”, ku ka zhvilluar një takim edhe me krerët e klubit të Tiranës. Shtatlarti 25-vjeçar është aktivizuar më parë në Kosovë me K.F KEK-u, KF. Drenica, KF. Ferizaj dhe KF. Hajvalia.

Aftësitë e tij kanë spikatur edhe në syrin e trajnerit të Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaku, i cili e grumbulloi “gardianin” në takimet miqësore, e duke e aktivizuar atë përkatësisht në sfidat që Kosova zhvilli kundër Turqisë, Senegalit dhe Omanit. Ilir Avdyli cilësohet si një nga portierët më të mirë të kampionatit kosovar, ndërsa ka qenë një nga pikat kyçe të ekipit të Hajvalisë, skuadër me të cilën ndërpreu bashkëpunimin javën e kaluar.

Kjo për të provuar tashmë një eksperiencë në kampionatin shqiptar, e duke qenë i bindur te cilësitë e tij për të qenë pjesë e 24 herë kampionëve të Shqipërisë. Shtatlartësia e tij, por edhe reflekset e qetësia në një rol të vështirë e bëjnë atë një lojtar të kompletuar që duket se do t’i ofrojë garanci edhe ekipit të drejtuar nga trajneri Ilir Daja.

4 SKUADRA

Ilir Avdyli është aktivizuar më parë në kampionatin kosovar, ku ka luajtur për ekipet e KF. KEK-ut, KF. Drenica, KF. Ferizaj dhe KF. Hajvalia.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.