Tirana bën “harakiri”, Flamurtari fiton në fund

0

Gjergj Vyshka

Tirana në basketboll për femra dje ka bërë “harakiri”, ndërsa e ka humbur finalen e parë të titullit kampion në sekondat e fundit. Dy gjuajtje të lira të humbura nga kapitenia Eliverta Bujari, por në anën tjetër një kosh me vlerën e dy pikëve nga Migena Plasa dhe kaq ka mjaftuar që Flamurtari të fitojë finalen e parë për titull kampion. Jo vetëm kaq, por e ka thyer për herë të parë Tiranën në këtë sezon, e cila në dy faza kishte fituar 90-87 dhe 67-66. E përmbysja e Flamurtarit nga një diferencë kundër 13 pikë në një fitore me 1 pikë është një mrekulli më vete, tipar i një skuadre që di të dalë kampion edhe atëherë kur është në vështirësi.

Ndeshja

Tirana e ka nisur mirë lojën, ndërsa Jankoviç me organizimin e saj di ta nxjerrë poshtë koshit të kundërshtarit Milovanoviçin. Aq sa Tirana është shkëputur fillimisht në 6-0. Mirëpo Flamurtari afrohet në 6-4 dhe pas kësaj ka një Tiranë shpërthyese, e cila me një avantazh të pjesshëm 11-0 thellon në 17-4. Toska aktivizon Palkon, e cila është lojtarja më efektive për Flamurtarin në gjuajtjet poshtë koshit të kundërshtarit. 19-8 perioda e parë për Tiranën, e cila ka thelluar deri në 22-10. Por këtu ndalet, ndërsa Flamurtari fiton periodën e dytë 13-21 dhe afrohet në 32-29. Një faull në mesin e fushës i Myrtos është bërë shkaktar për dhënien e gabimit teknik ndaj trajnerit Toska, i cili ka protestuar. Perioda e tretë sa ka nisur është ndërprerë, sepse kur koha shënonte 8 minuta e 54 sekonda, ndërkombëtari Cici së bashku me Koçin dhe Hoxhajn e ka pezulluar lojën për shkak të mungesës së forcave të rendit në sallë. Vetëm kur ata janë kthyer ka nisur ndeshja. Mitov, Myrto, Zykaj janë të saktë në trepikësha dhe perioda e tretë është 15-15, kurse në total 47-44. Flamurtari fiton dhe të fundit 14-15 dhe në përfundim 61-62, kurse kështu vlonjatet duken të sigurta drejt konfirmimit të tyre si kampione të Shqipërisë në basketboll për femra.

Tirana – Flamurtari 61-62 (0-1)

(19-8, 13-21, 15-15, 14-15)

Tirana: Milovanoviç (18), Popoviç (12), Jankoviç (5), Radiç (7), E.Bujari (5)/Hoxhaj (10), Dishnica, G.Bujari (4), Aliaj Trajner: R.Avrami

Flamurtari: Plasa (4), Zykaj (7), Myrto (5), Nikpajljeviç (13), Mitov (8)/Çorto (10), Palko (15), Hysaj, Rrapaj Trajner: V.Toska

Gjyqtarë: G.Cici, E.Koçi, G.Hoxha (Tiranë)

 

Trajneri i Flamurtarit

Toska: Skuadra e madhe duket kur di të riparojë defektet

“Edhe një herë tjetër, Flamurtari e tregoi se është një skuadër e madhe, e cila e meriton titullin kampion. E për të gjitha ato rezultate që ka arritur sivjet tregon se është ekipi më me vlera në Shqipëri. Njëherazi uroj edhe Tiranën, por dhe Goga Basket, për ndeshjet e bukura që kanë zhvilluar me Flamurtarin. Kjo është një risi për basketbollin dhe sot fitoi përsëri basketbolli dhe loja e bukur që zhvilluan të dyja ekipet. Skuadër e fortë është ajo, e cila i rregullon defektet gjatë rrugës dhe arrin të fitojë siç bëmë ne sot, një sukses i merituar. Flamurtari nuk toleron asnjë ndeshje, madje edhe ajo e Vlorës për ne quhet e para. Dua të përgëzoj skuadrën, mbi të gjitha Bujar Leskajn, që ishte i pranishëm, si dhe të gjithë dashamirësit që mbështesin Flamurtarin”, thotë Toska.

Trajneri i Tiranës

Avrami: S’menaxhuam lojën, Flamurtari e meritoi fitoren

“Nuk kemi ditur ta menaxhojmë lojën. Na mungoi organizimi. Flamurtari është skuadra kampione dhe e kishim të vështirë. Ne u përpoqëm, por nuk bëmë më të mirën. Ne bëmë gabime, Flamurtari e meritoi fitoren. Ne nuk kemi menaxhues brenda në lojë dhe ato na humbën lojën, sidomos organizatoret. Nuk mund të pretendosh të fitosh kur nuk di të organizosh lojën. Më shumë shanse kishim ne se kundërshtari. Por e fituan ato pasi ditën ta menaxhonin më mirë se ne. Pavarësisht humbjes kjo nuk do të thotë që ka përfunduar gjithçka, megjithëse Flamurtari ka më tepër shanse për të dalë kampion”, ka treguar trajneri i Tiranës, Roland Avrami.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image