Tifozët shqiptarë me sytë nga UEFA, këto janë dënimet e pritshme për Turqinë

Të gjithë tifozët shqiptarë janë me sytë nga UEFA, për dënimin që do t’i jepet Turqisë. Në një rast të dënimi ekstrem për këtë Kombëtare, atëherë do të ishin kuqezinjtë që do të hynin seriozisht në garë për një kualifikimin në Euro 2020.

Në pamje të parë duket si fantazi e shfrenuar që do t’i bënte shumë punë Kombëtares tonë, por jo edhe aq e pabazuar. Frika më e madhe është për prapaskenat që do të bëhen për dhënien e vendimit, duke ditur fuqinë e shtetit protagonist.

Për të përcaktuar qartë një dënim të Turqisë është e vështirë, pasi nuk ka një precedent të ngjashëm në të gjitha aspektet. Sigurisht që e para që përmendet është gjoba e majme. Por a duhet t’ia hedh kaq lehtë Turqia për dy festimet që bëri ndaj Shqipërisë dhe Francës, duke promovuar thirrjen e saj për luftë në mes të fushës së blertë?

Sigurisht që jo. Këtë herë nuk bëhet fjalë për një sjellje skandaloze apo të turpshme të tifozëve, siç është edhe rasti i fundit fare me të Bullgarisë që shfaqën racizmin e tyre. Këtë herë bëhet fjalë për qendrimin e një Kombëtare që mbështet luftën e vendit të saj e që për të gjithë të tjerët është një çmenduri dhe që nuk ngurron për ta deklaruar hapur, në syrin e të gjithëve.

Gjithashtu edhe në rastet e përfolura nga mediat e huaja me shqiponjën e Xhakës dhe Shaqirit nuk ka asnjë krahasim, pasi shqiponja e tyre nuk ishte e dëmshme, nuk shkaktonte asnjë thirrje lufte veçse fluturimit të lirë dhe mbi të gjitha, erdhi vetëm nga pak lojtarë.

Një variant i dytë që është përfolur është largimi i së drejtës së finales së “Champions League”. E planifikuar për t’u mbajtur këtë sezon në Instabul, Turqia rrezikon seriozisht që t’i merret kjo e drejtë organizmi dhe të kalojë në një vend tjetër për shkaqe mungese sigurie. Ndërsa variant i tretë dhe ai i dënimit ekstrem për Kombëtaren e Gunesh me zbritje apo zerim pikësh, do t’i hapte rrugën Shqipërisë për kualifikim. Kjo nuk është vetëm hipotezë, pasi edhe vetë trajneri Reja po e pret me padurim vendimin.

Por për t’u mos harruar është edhe reagimi i presidentit të UEFA-s, Ceferin, që u shpreh menjëherë pas këtyre ndeshjeve: “Ne kërkojmë edhe ndihmën dhe bashkëpunimin mes shteteve. UEFA nuk mund të marrë rolin e organizatave të tjera politike për të zgjidhur situatën e luftës”, duke lënë në pamje të parë të kuptohet se vendimi nuk do të jetë edhe aq ekstrem, pavarësisht se Franca po bën gjithçka që Turqia të bëhet shembull për të tjerët. /Sport Ekspres/