Tifozët e Juventusit e marrin si fyerje, komentatori i SKY: Vetëm Interit nuk japin penallti   

Inter-Parma ishte nga ato ndeshje që fare thjesht të kujtojnë një finale të vërtetë. Ose, të kthejnë nga krahu tjetër duke të treguar se, po, edhe skuadrat, në dukje inferiore, meritojnë të fitojnë kur luajnë pastër dhe bukur. Zikaltërit barazuan me shumë vështirësi në takimin e mbyllur me shifrat 2-2, ku Parma ndoshta me pak më tepër fat mund të sillte surpriza.

Një nga momentet më të diskutueshme, përveç golit të Candrevës, ishte dhe një pretendim i Interit për një penallti në zonë ndaj Espostio në minutën e 81’. “Protestat” u shtrin deri në transmetimin live të ndeshjes nga Sky Sport aty ku Giuseppe Bergomi pati një reagim që acaroi jo pak tifozët e Juventus.

“Për mua, Esposito merr vetëm pozitë në përpjekjen për të kontrolluar topin, nuk ka ndërmend të bëjë faull. Por sot gjyqtarët gjithmonë fishkëllyen në këto situata, interpretimi i shumë situatave të lojës ka ndryshuar. Sot pashë shumë penallti, por nuk dua të shkoj më tej, ndalem këtu”- tha Bergomi.

Fjalët e komentatorit dhe ish-kapitenit të Interit, tifozët e Juventus i kanë marrë si provokim ndaj penalltisë së dhënë ndaj Pjanic në sfidën me Leçen. Reagimi i tyre ka qenë edhe më i ashpër duke e thënë ndër të tjera se një ultras nuk mund të kthehet në komëntator ndeshjeje.

“Ju po bërtisni sepse Interi juaj nuk arriti të kapërcejë Juventusin. Një ultras nuk duhet të komentojë lojërat në Sky. Me të vërtetë Sky nuk duhet t’ju lejojë të komentoni skuadrat e tjera ose episodet e gjykimit sepse jeni dukshëm pro-Inter”- ishin disa nga komentet në rrjete sociale.

Kërcënimi i tifozëve ka qenë edhe më i madh duke shprehur se do të ndërpresin çdo abonim televiziv me Sky nëse Bergomi nuk pushohet nga puna. Një reagim kaq serioz, i cili më tepër lidhet me rivalitetin si në renditje, si në opinionin e përgjithshëm të sportdashësve./Sport Ekspres./