Tifozët e Burrelit i kërkojnë llogari kryebashkiakut

Nuk kanë toleruar më gjatë tifozët matjanë. Ato dje i janë drejtuar Bashkisë së Matit dhe kanë kontaktuar me kryebashkiakun Nezir Rizvani. Një përfaqësi e tyre është ulur në bisedime dhe ka kërkuar marrjen e masave për ndryshimin e gjendjes së rënduar të ekipit. Mësohet se tifozët i janë shprehur Rizvanit se skuadra është në situatë kritike, pasi në tetë ndeshje ka siguruar vetëm tri pikë.

“Ne, mësohet të jenë shprehur tifozët, kërkojmë që të merren masa urgjente që skuadra të mos zbresë nga kategoria se do të duhen vite që ajo të rikthehen përsëri në Kategorinë e Parë. Është shumë e rëndësishme të ndryshojë stafi drejtues i skuadrës pasi rezultatet tregojnë se Burreli nuk ka të ardhme me këtë drejtim dhe me këto lojtarë. Skuadra, kanë vijuar tifozët, duhet të kthehet në Burrel dh eta zhvillojë stërvitjen në prani të tifozëve pasi dyshojmë se ekipi nuk stërvitet siç duhet”, janë disa nga kërkesat drejtuar kryetarit të Bashkisë Mat. Rizvani nga ana e tij ka deklaruar se është i njohur me gjendjen e ekipit dhe është shprehur se brenda muajit të ardhshëm do të merren vendime në dobi të skuadrës. “Në janar, ka pohuar Rizvani, do të kemi staf tjetër drejtues dhe me siguri edhe lojtarë të rinj. Do të bëjmë të pamundurën që kërkesat tuaja të drejta të hyjnë në rrugën e zgjidhjes pasi gjendja është e patolerueshme”.

Duke u larguar nga bashkia tifozët thanë se do të presin zgjidhjen e kërkesave të tyre ndryshe do të ketë lëvizje të tjera për të mbrojtur “nderin” e futbollit matjanë.

Albi Lala

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *