Tifozët brohorosin për Gjokën, Ademi euforike: Fitojmë edhe në Kamzë!

Përfundimi i ndeshjes është përjetuar me entuziazëm në dhomat e zhveshjes së futbollistëve kuqeblu. Aty, krahas stafit teknik, kanë qenë edhe drejtuesit më të lartë të klubit, mes tyre edhe kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila tashmë me qëndrimin afër dhe përkujdesjen maksimale që po tregon ndaj skuadrës është shndërruar në një tifoze të zjarrtë të Vllaznisë. Zonja Ademi është parë të dalë nga dhomat e zhveshjes së skuadrës kuqeblu shumë entuziaste dhe e gëzuar për fitoren e arritur. Teksa ecte dhe përshëndetej me të pranishmit që ndodheshin në korridorin e stadiumit “Loro Boriçi”, të cilët edhe e uronin për fitoren. “Sport Ekspres” i kërkoi një interviste për gazetën, por në ecje e sipër dukej qartë që e kishte përjetuar në mënyrën më të mirë fitoren, dhe shkurtimisht tha: “Jo tani, jo, do të flas pas ndeshjes me Kamzën. Kam besim që edhe në Kamzë do të fitojmë”.

Brohoritje për Gjokën, kjo ishte fitorja më e madhe për të

-Në fund të ndeshjes tifozët kanë duartrokitur dhe brohoritur për trajnerin e Vllaznisë, Ernest Gjokën, i cili është emocionuar nga kjo, pasi në Shkodër ka vuajtur jo pak që kur ka marrë drejtimin e skuadrës kuqeblu. Në dy muajt e fundit ka duruar një presion të paparë, por tifozët nuk i ka pasur kundër realisht, edhe pse ata janë të dëshpëruar dhe jo rastësisht stadiumi nuk mbushet më as në 30% të kapacitetit, por nëse vjen një fitore në Kamzë, sfida e mesjavës së ardhshme ndaj Partizanit do të jetë një finale me stadium të paktën gjysmëplot!

-Edhe pse një ndeshje e rëndësisë së veçantë, ku nuk kanë munguar edhe thirrjet e drejtuesve të klubit për të mbushur stadiumin, shkallët e “Loro Boriçit” kanë pasur një numër të vogël tifozësh.

-Sfida Vllaznia-Flamurtari është përcjellë për ekranin e publikut shqiptar me 16 kamera përmes një teknologjie moderne evropiane, që vjen për here të parë në stadiumet shqiptare nga Supersport.

-Krahas figurave të tjera sportive, në tribunën qendrore ka tërhequr vëmendjen prania edhe e ish-futbollistit dhe ish-trajnerit të Vllaznisë, Rudi Vata, i cili shoqërohej nga babai i tij.

– Portieri vlonjat Qirko dëmtohet rëndë në minutën e 56-të gjatë një grushtimi në dyluftim me nigerianin Orelesi të Vllaznisë. Shenjat e para janë të frikshme, por pas ndihmës së shpejtë ai ngrihet, duke marrë duartrokitjet e publikut.

– Një top i goditur në mesfushë përfundoi në kokën e gjyqtarit Beqiri në minutën e 64-t të takimit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *