Tifozët bëhen të padurueshëm, Alegri merr masa ekstreme

Masimiliano Alegri nuk ka një raport ideal me tifozët e Juventusit. Në pamje të parë kjo mund të duket diçka e çuditshme pasi tekniku livornez ka bërë një punë të shkëlqyer, teksa ka fituar katër kampionate radhazi dhe festën e të pestit e ndalon vetëm matematika.

Gjithsesi ngacmimet dhe ofendimet në rrjetet sociale ishin kthyer të padurueshme për teknikun e  Juventusit, i cili ka ndërmarrë një masë ekstreme duke i mbyllur të gjitha llogaritë e tij.

Mesa duket etja e tifozëve të Juventusit për trofeun e Champions-it ka sjellë një reagim të tillë kundrejt trajnerit. Supremacia e “Zonjës së Vjetër” në Itali ka bërë që titulli kampion të duket si diçka normale që nuk kërkon shumë mund, ndërsa tani i vetmi trofe që vlen është Champion-si.

Sipas “Gazzeta Dello Sport”, Alegri do të shpjegojë arsyet e këtij vendimi në daljen për shtyp që i paraprin ndeshjes së Napolit, konferencë kjo që do të zhvillohet ditën e nesërme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *