Tifogrupi, “luftë” Gjicit: Ne nuk jemi kalimtarë, kujdes!

Pas deklaratës së presidentit Gjici për tifozët e Kukësit, këta të fundit kanë reaguar përmes një postimi në “Facebook”. Faqja e “Mërgatës” ka shprehur me nota të forta edhe njëherë pakënaqësinë kundër presidentit të tyre, duke i bërë thirrje që të mos cenojë dinjitetin e tyre: “Zoti moralist, filozof, doktor shkencash etj, etj, që na jep mend neve të jemi në stadium. Je po i njëjti që në Gjirokastër ke thëne nuk ju tha njeri të vini në stadium. Je po i njëjti që urdhëroje dhe nxisje komponentë brenda tifogrupit që të na bindnin për të qenë pjesë e një fushate të ndyrë politike. Ne nuk jemi racistë, as ksenofobë po as lodër e jotja nuk kemi qenë e nuk do jemi kurrë. Sepse ne more zotëri nuk jemi kalimtarë që ti të na dalësh në rrugë e të na grabisësh, por jemi ata që të bllokojmë rrugën ty, kur imazhin e Kukësit e shohim drejt humnerës. Sepse për ne ndryshe nga ti, ai qytet, ato shkallë stadiumi, rrugica, e maja malesh janë gjëja më e shtrenjtë dhe nuk do lejojmë që të kthehen në biznes personal e politik në favor të njërës klikë apo tjetrës. Deklaratat në media merri e shpërndaji sa të duash, Milinkon shkarkoje e ç’të të dojë zemra bëj, por me dinjitetin e tifozëve të vërtetë mos luaj sepse ne do jemi aty edhe kur ekipi do jetë totalisht i vetëm”, përfundon postimi i Mërgatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *