Tiago Silva tregon sherrin me Nejmarin dhe i jep një këshillë

Brazili triumfoi në fund ndaj Kosta Rikës, por vuajtjet për të gjetur golin çlirues krijuan shumë ankth dhe stres në skuadër. Në mesin e ndeshjes u regjistrua edhe një moment tensioni mes Nejmarit dhe Tiago Silvës, që po grindeshin.

Nejmar po kërkonte me ngulm një faull duke protestuar tek arbitri dhe Tiago Silva i mori topin, duke ia kthyer mbrojtjes kundërshtare. Kjo acaroi Nejmarin, që iu hakërrye kapitenit.

Pas ndeshjes Tiago Silva foli në lidhje me atë episod: “Po vonohej loja kot, ai top nuk na e ndryshonte ndeshjen. Doja të luanim sa më shpejt dhe Nejmar u nxeh, u trishtova nga sjellja e tij. Më vjen keq, e kam si vëlla të vogël, por në atë moment më mërziti shumë, mendoj se u soll keq ndaj meje”.

Tiago Silva flet edhe për shpërthimin e Nejmarit në lot pas ndeshjes: “I thashë që të qante nëse i vinte për të qarë. Ai e di më mirë se kushdo sa ka vuajtur për t’u riaftësuar me kohë për të qenë në Kupën e Botës. E qara të bën mirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *