T’i bëjnë mirë hesapet, fanella e Flamurtarit po nis të peshojë sërish në Superiore

I gjendur sërish në vend të fundit në Superiore, por këtë herë me shenja zgjimi të shfaqur për të nisur luftën e gjatë për një vend në eitën e futbollit shqiptar në sezonin e ardhshëm. Kjo është situata aktuale e Flamurtarit, që e tregoi edhe ndaj kampionëve në fuqi të Partizanit se kampionati nuk është mbyllur ende për ta.

Ardhja e trajnerit Birçe në stolin e vlonjatëve ka sjellë edhe frytet e veta, teksa në tre javët e para i ka sjellë skuadrës 2 pikë dhe ato ndaj ekipeve si Partizani dhe Skënderbeu, ndërsa humbën ndaj Kukësit të Duros megjithëse arritën të bënin një lojë të mirë në fushë. Një histori e gjatë që flet për ta është edhe motivimi më i mirë për t’i dhënë shtysë më tepër dhe për të nisur rrugën e mbijetesës në Superiore. E nëse deri pak kohë më parë të gjithë ekipet nuk e llogarisnin më Flamurtarin, tashmë duhet të mendohen dy herë para se të zbresin me ta në fushën e lojës, pasi siç e tha edhe trajneri Birçe: “Rivalët duhet t’i bëjnë mirë hesapet e tyre me ne, pavarësisht gjendjes së vështirë ku ndodhemi”. /Sport Ekspres/