Thumbon Halili: Do të prishet gara, Mervejlit do t’i bëjmë festë lamtumire  

Pas ndeshjes, presidenti Refik Halili është shfaqur i qetë dhe jo shumë i zhgënjyer për eliminimin nga Europa League. Normalisht që rezultati i ndeshjes së parë dhe emri i kundërshtarit linte shumë pak vend për një “ëndërr” kualifikimi. Në një prononcim për mediat, presidenti Refik Halili ka folur rreth performancës së skuadrës, duke u ndalur më së shumti në takimin e zhvilluar në Izrael. Bardheblutë janë skuadra më e piketuar në merkato, ku një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve janë në fokus të shumë skuadrave. Mervejli mbetet “xhevahiri” i paçmuar dhe me shumë gjasa do të jetë “shpëtimtari” i Tiranës, pasi me shitjen e tij,  kryeqytetasit do të mbushnin arkën. Numri një i bardhebluve nuk lë jashtë vëmendjes dhe sezonin e ardhshëm, ku për të parën herë, skuadra me më shumë tituj do të luajë në Kategorinë e Parë.  Një thumbim edhe për Federatën ka Refik Halili: “Gara do të prishet si në Superiore ashtu dhe në Kategorinë e Parë”.   

NDESHJA – “Do të thosha se rëndësi ka që ne e kemi vlerësuar ekipin e Makabit edhe pse është një skuadër shumë e madhe. Treguam që kem karakter. U munduam që ta ruajmë emrin e skuadrës edhe treguam edhe vlera në Izrael, pavarësisht rezultatit që ishte 2-0. Këtu na penalizoi shumë, lojtari, i cili u ndëshkua me karton të kuq. Kjo ishte një humbje shumë e madhe, megjithatë unë jam i kënaqur për sa i përket këtij kontingjenti lojtarësh”.

LARGIMET – “Gjatë ditëve të ardhshme do të flasim. Mund të them se kemi oferta, nëse do të ketë diçka konkrete, nëse do të nënshkruhet ndonjë marrëveshje ne do të njoftojmë të gjithë. Oferta ka për shumë lojtarë, në veçanti Mervejlin. Nëse ne do të konkretizojmë ndonjë marrëveshje apo do të biem dakord për shitjen e tij, atëherë ai do të largohet nga Tirana, do t’ju njoftojmë dhe ju dhe do t’i bëjmë një ceremoni lamtumire Daja dhe Karabeci? Nëse do të kemi do të njoftojmë”, u shpreh Halili.

SKUADRA – “Skuadra për sezonin e ardhshëm do të ruaj rreth 80% të grupit. Kemi financuar shumë dhe kemi menduar mirë. Do të flasim gjatë kampionatit, megjithatë besoj se do të prishet kampionati si në Superiore ashtu dhe në Kategorinë e Parë. Në Kategorinë e Parë do të thonë erdhi Tirana, pse duhet të investojmë shumë. Ata do të ngjiten. Në Superiore, po ashtu nuk do të investojnë shumë, sepse ka ikur Tirana. Humbje e madhe ka qenë largimi i Tiranës nga Superiorja. Do ta ndjejnë të gjithë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *