Theu çdo rregull të distancimit dhe e publikoi në rrjete sociale, klubi gjerman përjashton futbollistin

Salomon Kalu është përjashtuar nga çdo aktivitet sportiv nga klubi i Hertës së Berlinit. Këta të fundit kanë shafqur tolerancë 0 për veprimet e fundit të lojtarit të tyre. Ish-sulmuesi i Chelsea ka thyer çdo rregull të distancimit social dhe të masave për mbrojtjen e sigurisë shëndetësore prej Covid-19. Madje gjithçka është parë në kohë reale nga një video-live në rrjetin e tij social në “Facebook”. Kalu ka hyrë në dhomat e zhveshjes pa mbajtur distancë me shokët e vetë të skuadrës si dhe u ka dhënë dorën ose ka prekur ata që i afroheshin afër. Gjithashtu më pas ka hyrë edhe në një dhomë ku një anëtar i skuadrës së tij ishte duke kryer testimin për Koronavirus.

Një video e tillë rreth 15 minuta e gjatë, ku sulmuesi i tyre thyen çdo rregull të mundshëm, nuk është kapërdirë lehtë nga Herta e Berlinit. Këta të fundit kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme dhe shumë ashër ndaj futbollistit nga Bregu i Fildishtë. Në një njoftim për shtyp klubi gjerman distancon veten nga veprimet e Kalu dhe e sheh atë si përgjegjësin dhe fajtorin e vetëm për thyerjen e rregullave të higjenës dhe distancimit social. Ndërkohë vetë lojtari është justifikuar me argumentin se ishte i gëzuar për faktin se testet kishin dalë negative dhe kërkon falje për gjestet dhe videon e publikuar prej tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/