Tevez: Ronaldo i fiksuar, Mesin s’e kam parë kurrë të punojë në palestër

Karlos Tevez i njeh mirë të dy yjet më të mëdhenj të botës së futbollit. Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi kanë qenë dikur kolegët e sulmuesit të Boka Xhuniors. Portugezin e ka pasur në skuadër te Mançester Junajtid, ndërsa Mesin ka punuar për vite më radhë në kombëtaren e Argjentinës.

Në një intervistë 34-vjeçari ka folur për të dy futbollistët me famë botërore. “Kristiano është një futbollist i fiksuar pas perfeksionit. Mbaj mend shumë gjëra rreth tij kur luaja me te Junajtid. Ai shkonte gjithmonë në palestër pas ndeshjeve, por përsëri do të ishte përherë i pari në stërvitje në mëngjesin e së nesërmes”.

“Vendosa ta surprizoja njëherë duke shkuar më herët se ai, në orën tetë, por ai ishte aty përsëri. Më pas shkova gjysmë ore më herët, por ai ishte përsëri aty para meje. Një ditë e vendosa që të shkoja që në gjashtë, e gjeta përsëri aty, të përgjumur normalisht, por rëndësi ka që ishte prezent”.

MESI – “Mesin nuk e kam parë kurrë në një palestër. Ai preferon të stërvitet me orë të tëra në fushë me topin. Dallohet që dhe ai është një futbollist shumë punëtor. Një fakt konkret i punës së madhe që ai bën në stërvitje janë dhe goditjet e dënimit. Vite më parë, ato nuk ishin një pikë e fortë e tija, ndërsa tani cilësohet si një ndër më të aftët në planet për goditjet standarde”, përfundoi Tevez.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *