Teuta në kupën “Pascucci”, Magani kërkon konsolidimin

Bregdetarët në një turne me Besën dhe Trepçen 89’. Trajneri ka mundësi për të vendosur përfundimisht edhe lojtarët titullarë

Trajneri Gugash Magani akoma nuk i ka idetë krejtësisht të qarta për ekipin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë e lojës në kampionat. Tekniku i bregdetarëve ka parë skuadrën në Ohër dhe e ka projektuar edhe 11-she e tij, me disa pikëpyetje të vogla, që do të ketë shansin t’i eliminojë në kupën “Pascucci”.
Klubi bregdetar bën të ditur se ditën e diel, më 3 shtator, ora 18:00 do të zhvillohet edicioni i parë i kupës “Pascucci”. Përveç Teutës do të marrin pjesë edhe Besa e Kavajës dhe Trepçe 89’. Kampionët e Kosovës janë edhe të ftuarit special të këtij turneu.
Takimet do të zhvillohen në stadiumin “Niko Dovana” dhe hyrja do të jetë falas për të gjithë tifozët.
Këto ndeshje janë një mundësi shumë e mirë për trajnerin Gugash Magani për të vendosur pikat mbi “i” dhe për të konsoliduar përfundimisht formacionin e tij.

PËRGATITJET – Skuadra e Teutës ka zhvilluar stërvitje edhe ditën e djeshme në kompleksin e saj. Trajneri Gugash Magani ka stërvitur ekipin për rreth 90-minuta me një seancë fiziko-teknike. Me ekipin ditën e djeshme është bashkuar edhe mbrojtësi Ante Hrkaç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *