Teuta me synime të qarta ndaj Luftëtarit, Shkëmbi: Fitorja duhet të jetë një detyrim

Bledi Shkëmbi ka qenë i sot pranishëm në konferencën e zakonshme që trajnerët mbajnë një ditë para ndeshjes përpara ndeshjes, për të shuar kështu kureshtjen e gazetarëve prezent dhe atë të sportdashësve.

Trajneri i Teutës ka folur për përballjen e nesërme kundër Luftëtarit, kundër të cilëve thekson se fitorja është një detyrim, megjithëse shpesh herë janë e ekipet e vogla ato që u hapin telashe të mëdha durrsakëve. Sa i përket mungesës së golit për sulmuesët e tij, Shkëmbi shprehet se shpreson që një gjë të tillë të marrë fund ditën e nesërme. Madje trajneri i Teutës shton se nëse do të kishte dijeni për ndonjë skemë ku sënohen më tepër gola, atëherë do e vinte patjetër në zbatim.

“Është një përballje e vështirë, pasi ekipet e ashtuquajtura të vogla, apo që duken sikur kanë probleme ta bëjnë edhe më të vështirë. Kemi folur shumë, jemi stërvitur dhe shpresoj që nesër ta arrijmë atë që ne kërkojmë. Duhet të jetë fitorja detyrim, edhe pse në futboll nuk ka detyrime. Duhet të shkojmë e të luajmë për ta fituar ndeshjen dhe duhet ta fitojmë.

Të gjithë duam të shpërthejnë sulmuesit, por kjo gjë duhet bërë në fushën e lojës. Shpresoj të jetë ndeshja e duhur që lojtarët sulmues të shënojnë. Nuk janë vetëm ata të dy, janë edhe të tjerët që duhet të ndihmojnë repartin e sulmit dhe të shënojnë.

Nëse do dija ndonjë skemë që do të shënoheshin më shumë gola, atëherë do të luajë në atë mënyrë. Duhet të vazhdojmë me idenë tonë, të luajmë futbollin që kërkojmë. E thashë, shpresoj që të jetë një ogur i mirë dhe të shënojmë”, ka deklaruar Bledi Shkëmbi. /Sport Ekspres/