Teuta mbretëresha e përmbysjeve, Kukësi e pëson për herë të parë

Deri më sot janë luajtur 106 ndeshje në Kategorinë Superiore, për sezonin aktual. Ka qenë një kampionat shumë i ekuilibruar, ku ajo që bie në sy është se shpesh skuadra që shënon e para fiton ndeshjen. Ndoshta për shkak se jemi të varfër në cilësi e ide, ndoshta sepse nuk kemi guxim, apo ndoshta sepse psikologjikisht jemi shumë të dobët, zakonisht ndeshjet marrin drejtim që pas golit të parë.

Jo rastësisht, futbollistë si Shtubina, Telushi, Bushiç e disa të tjerë janë të jashtëzakonshëm në raportin gola/pikë, sepse sa herë kanë shënuar, kanë qenë të parët për ekipet përkatës dhe më pas nuk ka pasur përmbysje. Në 106 ndeshje të Superiores, ka pasur vetëm 8 përmbysje këtë sezon, e fundit dje, me Teutën që përmbysi bujshëm Kukësin në “Niko Dovana”.

Mbretëresha e përmbysjeve është pikërisht Teuta, sepse ka fituar 3 ndeshje këtë sezon duke qenë fillimisht në disavantazh, shenjë e qartë force mendore dhe përgatitjeje fizike që e lejojnë të mos dorëzohet deri në fund.

Më 2 nëntor Tirana shënonte me Edon Hasanin në Shijak dhe në një koincidencë të çuditshme, Teuta përmbyste gjithçka në 3 minuta në pjesën e dytë, ashtu si dje, por me gola të shënuar nga Ditmar Bicaj.

Vetëm 5 ditë më vonë Teuta përmbyste Kamzën në transfertë, sërish me pjesën e parë mbyllur në disavantazh. Amadu, Progni e Beqja shënuan 3 gola në 9 minuta, në një ndeshje që në fakt nuk ishte fort e pastër.

Përmbysjet e tjera kanë për autor Laçin (fitore 2-1 ndaj Luftëtarit në gusht), Tiranën (fitore 3-2 ndaj Kastriotit në Fushë-Krujë), Kukësin (fitore 2-1 ndaj Kastriotit në Fushë-Krujë), Partizanin (fitore 2-1 në derbi ndaj Tiranës më 30 nëntor) dhe Luftëtarin (fitore 3-2 në Korçë më 16 dhjetor).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *