Teuta luan Kupën, por me mendjen te kampionati

0

Teuta vazhdon përgatitjet në terren, në kuadër të ndeshjes së parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë me Vllazninë në Shkodër. Skuadra gëzon një formë të mirë fizike dhe kjo gjë e ka kënaqur trajnerin Magani. Në takimin e vajtjes, duke parë specifikën që ka Kupa, objektivi i parë i “Djemve të Detit” është ta ruajnë portën të paprekur. Me afrimet e fundit Teuta është përforcuar ndjeshëm, sidomos në mbrojtje. Markoviç, ndonëse nuk ka shumë ditë që është bashkuar me skuadrën, ka treguar një nivel të kënaqshëm. Lajmi i keq për stafin teknik është largimi i anësorit Nazmi Gripshi, i cili ishte piketuar si titullar për pjesën e mbetur të kampionatit, por drejtuesit pranuan ofertën e korçarve për 60 mijë euro. Në seancën e djeshme lojtarët janë habitur, kur kanë mësuar për largimin e 19-vjeçarit, i cili shihej si një futbollist i perspektivës. Për disa minuta “Djemtë e Detit” kanë komunikuar me njëri-tjetrin për këtë fakt. E njëjta situatë ka qenë edhe për vet Gripshin, pasi mesfushori nuk dinte asgjë për këtë transferim. Madje ai dje ishte në një ekskursion me shkollën në Voskopojë. Gjithsesi, me ardhjen e Prognit, trajneri peqinas ka një alternativë cilësore për krahun e djathtë, teksa edhe Çyrbja është një lojtar me vlera, që ka treguar një nivel të kënaqshëm. Kundër Vllaznisë, trajneri Magani pritet të hedhë në fushë formacionin e pjesës së dytë të ndeshjes ndaj Tiranës. Megjithatë, mund të ketë edhe surpriza, pasi në fundjavë ka një ndeshje tepër të vështirë me Kukësin në transfertë.

KAMPIONATI – Skuadra është e fokusuar te ndeshja e radhës me shkodranët, por dashur pa dashur vëmendja është edhe te verilindorët, pasi mbijetesa është kryefjalë në kampin durrsak. Skuadra ndodhet vetëm 2 pikë larg nga zona e ftohtë dhe faza e tretë pritet të jetë tepër e nxehtë, pasi janë disa ekipe, që luftojnë për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Sa i përket përballjes me Vllazninë, bregdetarët kanë ecuri pozitive në 5 takimet e fundit me 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Edhe në 5 përballjet e fundit zhvilluar në Shkodër janë durrsakët atë që dominojnë, me 3 fitore, ndërsa 2 takimet e tjera kanë folur për vendasit. Statistikat bazohen te ndeshjet në kampionat, që skuadrat kanë zhvilluar mes tyre. Kundër kuqebluve stafi teknik e ka të gjithë grupin e futbollistëve të gatshëm, me përjashtim të mesfushorit Bledar Hodo, i cili vijon stërvitjen i diferencuar, ndërsa Andi Ribaj duket se ka lënë pas virozën e stinës, pasi dje është stërvitur me grupin, por shanset janë të vogla, që sulmuesi të jetë në fushë.

Drilon Xhepollari

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image