Teuta e Shkëmbit në krizë totale, këto shifra flasin qartë

Teuta pësoi humbjen e katërt për këtë vit në Superiore, çka ka sjellë edhe rënien në vendin e katërt në klasifikim. Durrsakët janë zyrtarisht në krizë dhe këtë e thonë rezultatet e arritura gjatë vitit 2019. Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë është një nga dështimet, por ajo që u ka ndodhur në kampionat është e pashpjegueshme.

Gjatë këtij viti Teuta ka zhvilluar plot 10 ndeshje. E dini sa ka fituar? Vetëm dy takime. Skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi është mposhtur 4 herë, ndërkohë që në katër takime të tjera ka barazuar. Vetëm dhjetë pikë të grumbulluara gjatë këtij viti. Komentet janë të tepërta.

Asgjë nuk funksionon. Në dhjetë ndeshje e zhvilluara, Teuta vetëm kundër Kamzës e Kastriotit nuk ka pësuar. Të gjitha ekipet e tjera i kanë ndëshkuar “Djemtë e Detit”. Plot 17 gola të pësuar në 10 ndeshje, një shifër shumë e lartë. Golat e shënuar? Shtatë. Krizë, që në Durrës do mundohen ta kalojnë sa më shpejt. Tirana është në derë, drejtuesit duan autokritikë të dielën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *