Teuta e pëson nga Arshavin, mposhtet në sfidën e parë

0

 

Durrsakët humbasin 1-0 në “Niko Dovana”. Ylli rus vulos sfidën dhe i jep suksesin Kairat Almati. Kualifikimi bëhet shumë i vështirë

Andi TANKU

E enjte, më 30 qershor, ora 20:00, stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

Europa League, turi i parë eliminator

TEUTA ­ KAIRAT ALMATI 0-1

Goli: Arshavin 70′

Teuta: Moçka, E. Hoxha, R. Hoxha, Shkalla, Kotobelli, Hodo (Gripshi 82’), Çyrbja, Lena (Lamçja 65’), Hila, Musta, Magani (Raboshta 76’)

Trajner: Julian Ahmataj

Kairat Almati: Plotnikov, Kuantaiev, Timoshuk, Markoviç, Tesak, Isael (Kuat 80’), Bakaev, Arshavin (Acevedo 78’), Islamkhan, Lunin, Gohu (Tauamba 92’)

Trajner: Kakhaber Tskhadadze

Gjyqtarë: V. Dimitriou, A. Kristou, A. Andreou (Qipro)

Kartonë të verdhë: R. Hoxha 57’/ Bakaev 33’

GOLI

70’- Arshavin del në pozicion ballor dhe i pa shqetësuar arrin të mposhtë portierin Moçka. 0-1.

EPISODET

10’- Gohu gjuan, por topi bllokohet nga mbrojtja e Teutës dhe shkon në këndore.

10’- Në zhvillimet e goditjes standarde, Bakaev provon të befasojë Moçkën, por portieri i Teutës neutralizon rrezikun.

18’- Tesak ka një rast të mirë për të shënuar, por është sërish Moçka që shpëton portën e tij, duke bërë një “fluturim” të mrekullueshëm.

20’- Kotobelli depërton në mbrojtjen kundërshtare, gjuan, topi devijohet, por Hila edhe pse pranë portës godet në trupin e portierit Plotnikov.

33’-Hila tenton nga distanca, por edhe një herë nuk është efikas.

40’- Arshavin ka një mundësi të artë për të shënuar, por Moçka edhe një herë tjetër nuk lejon prekjen e rrjetës.

45’- Çyrbja del në pozicion të volitshëm për të realizuar golin e parë të takimit, por këtë herë, heroi është portieri Plotnikov që neutralizon rrezikun.

64’- Arshavin lëviz mirë, vihet përballë Moçkës, por gjuajtja e tij nuk e mposht portierin e Teutës që tregohet sërish i saktë.

75’- Krosim i saktë i Kotobellit nga e majta, Musta gjendet në shtyllën e dytë ku gjuan me kokë, por topi përplaset në shtyllë e më pas kontrollohet nga portieri i Kairat.

85’- Këtë herë janë azerët që godasin shtyllën me Acevedon.

Teuta nuk ia del në sfidën e parë kundër Kairat Almati, duke u mposhtur 1-0 në “Niko Dovana”. Ekipi i drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj ka zhvilluar një paraqitje pozitive, duke pasur edhe disa raste të mira për shënim, por një gjë e tillë nuk mjaftoi për të marrë një rezultat pozitiv kundër “yjeve” si Arshavin dhe Timoshuk. Ishte pikërisht ish-sulmuesi i Arsenalit ai që ndëshkoi “djemtë e detit” me golin e realizuar në minutën e 70-të, duke vulosur kështu fatin e këtij takimi të parë të raundit të parë kualifikues për “Europa League”. Një humbje e cila do t’ia bëjë të vështirë Teutës, arritjen e misionit për të kaluar për më tej në këtë kompeticion, kjo edhe për faktin se sfida e kthimit do të luhet në Kazakistan.

PJESA E PARË– Teuta e ndjen veten në presion që në minutat e para, kur Bakaev tenton të shënojë që në minutën e 10-të, por është Moçka që shpëton portën e tij. 8 minuta më pas është Tesak që provon të befasojë “gardianin” e skuadrës bregdetare, por vlonjati “fluturon” duke bërë një pritje të mrekullueshme. Teuta tenton 2 minuta më pas me Kotobellin që depërton drejt mbrojtjes së Kairat, gjuan, topi devijohet e më pas Hila që gjendet përballë portierit Plotnikov godet në trupin e këtij të fundit. Një rast i mirë që nuk shfrytëzohet siç duhet nga durrsakët. Teuta shton presionin drejt portës kundërshtare dhe merr më shumë iniciativë për të rrezikuar, ndërsa Hila në minutën e 33-të provon nga distanca fluturimthi, por pa mundur të gjejë kuadratin e portës. Në barazim pa gola mbyllet pjesa e parë.

PJESA E DYTË– Nis si e para, me Kairat në sulm që kërkon me ngulm golin, por sërish e ka të vështirë ta gjejë rrjetën. Tentativat e dështuara të ekipit nga Kazakistani do të merrnin fund në minutën e 70-të. Arshavin shfaqet në pozicion ballor me portën e mbrojtur nga Moçka, gjuan saktë dhe e dërgon topin në rrjetë. 0-1 për Kairat. Ahmataj freskon ekipin duke hedhur në fushë Raboshtën për Maganin dhe Gripshi që zëvendëson Hodon, ndërsa më parë, Lamçja u hodh në fushë në vend të Lenës. Freski dhe shpejtësi tashmë për durrsakët, të cilët, 5 minuta pasi pësojnë golin kanë shansin të barazojnë, por janë pafat. Kotobelli hedh një krosim të saktë nga e majta, Musta e pret në shtyllën e dytë, gjuan me kokë, por “sfera” përplaset në shtyllë e më pas përfundon në duart e portierit të Kairat. Ndërkohë që deri në fund të sfidës, rezultati nuk do të ndryshonte, ndonëse miqtë mund të kishin dyfishuar në minutën e 85-të, por Acevedo që hyri si zëvendësues në vend të Arshavinit gjeti vetëm shtyllën. Si përfundim, Teuta 0 dhe Kairat Almati 1.

INTERESIMI

Pak tifozë në “Niko Dovana”

Sfida e djeshme kundër Kairat Almati nuk tregoi ndonjë interes të lartë në radhët e tifozëve durrsakë. Edhe pse gjatë gjithë javës ishin bërë thirrje edhe në rrjetet sociale për mbështetje masive për Teutën, sërish pjesëmarrja e tifozëve durrsakë ka qenë e ulët. Në tribunën përballë, ashtu siç ishte lajmëruar nuk kishte tifozë për shkak të mungesës së stolave, ndërsa pak sportdashës ishin akomoduar në tribunën qendrore.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.