Teuta e cunguar, Çyrbja: Edhe barazimi na kënaq

0

Teuta u mposht në shtëpi nga Kamza dhe sigurisht ai rezultat nuk u prit mirë nga trajneri Magani dhe drejtuesit. Por nuk ka mjaftuar vetëm humbja e pësuar, pasi në ndeshjen e radhës me Partizanin trajneri Gugash Magani do të ketë mungesa të rëndësishme dhe duhet të gjejë zgjidhjet e duhura për formacionin. Anel Dediç është i pezulluar me karton të kuq, ndërkohë që edhe kapiteni Lena plotësoi numrin e të verdhëve dhe mungon jo vetëm këtë javë, por në të gjitha ndeshjet e mbetura të këtij viti, pasi pësoi një dëmtim në sfidën e fundit. Gjithashtu edhe Ante Hrkaç nuk ia del të jetë ndaj Partizanit, madje edhe ai si Lena e ka mbyllur vitin, duke bërë që hallet për stafin teknik të shtohen dhe “hijet” e fazës së parë të rikthehen sërish. Luhatjet e kanë shoqëruar shumë Teutën këtë vit dhe kjo normalisht nuk i pëlqen shumë trajnerit Magani, që pret nga drejtuesit e klubit afrime në merkaton e janarit. Nga Skënderbeu mund të vijë mesfushori Nazmi Gripshi në huazim, por kritike mbetet situata për mbrojtjen, sidomos për krahun e djathtë, ku nigeriani Abe Oluasina nuk u doli ashtu siç e prisnin dhe që prej largimit të Slavko Lukiç nuk po gjendet një zgjidhje e qëndrueshme.

ÇYRBJA
Mesfushori durrsak ka folur për ndeshjen e humbur me Kamzën dhe nuk di të japë shpjegime se si u ndodhi diçka të tillë. “As vetë nuk e dimë se si ndodhi, megjithatë them se është një humbje si gjithë të tjerat. Mendoj se do të gjejmë forcat të ecim përpara”, u shpreh Arbër Çyrbja në “RTSH Sport”, ndërkohë që më pas foli për sfidën me Partizanin, sfidë në të cilën synojnë të mos dalin pa pikë. “Presim të japim maksimumin nga vetja si unë dhe të gjithë shokët e ekipit, në mënyrë që të bëjmë më të mirën dhe të dalim me një rezultat pozitiv. Ne futemi në këtë takim për të marrë maksimumin e pikëve, por edhe një barazim nuk do të ishte keq”, tha mesfushori, një nga shtyllat e formacionit të Teutës.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image